“Koktejli” i futbollit europian, Play Off dhe miqësore

14/11/2015 00:00

Në plan të parë në futbollin europian këtë javë janë ndeshjet e “play off” që do të kompletojnë dhe tablonë e skuadrave të kualifikuara për në Francë vitin tjetër, por nga sfidat e para ka munguar disi spektakli.

Bosnja nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në stadion Bilino Polje që u mjegullua në pjesën e dytë aq sa ishte e vështirë të shihej. Pak nga kushtet atmosferike e pak nga loja e dobët, tifozët ballkanas e humbën entuziazmin në përplasjen e parë të play off-it.

Goli i Bredit i dha avantazhin miqve por shumë shpejt Edin Xheko riktheu barazpeshën. Kthimi në Irlandë pas 4 ditësh do të zyrtarizojë se kush prej ishullorëve apo Bosnjës, shkon në Europian. Ndërkohë kjo e premte ishte dhe dita e disa miqësoreve emocionuese ku nuk munguan surprizat.

Spanja likujdoi 2-0 Anglinë në stadiumin e Alikantes duke i kujtuar ishullorëve se është më lart në nivel dhe pretendime për fronin kontinental. Mario Gasparr ishte autor i një supergoli për La Rohan me një kthesë të bukur ndërsa Santi Kazorla vulosi suksesin e merituar iberik.

Italia dështoi ndaj Belgjikës duke humbur 3-1 ndaj skuadrës që në mënyrë surprizë dominon renditjen e FIFA. Kandreva i dha avantazhin italianëve por Vertongen barazoi brenda pjesës së parë. Në fraksionin tjetër, De Bruin dhe Batshuai sigluan suksesin e merituar të belgëve të Mark Vilmots.

Holanda nga ana e saj tregoi forcën ndaj Uellsit duke e mundur 3-2 në transfertë, një fitore që vlen vetëm për statistikë pasi ishullorët do luajnë në Europian ndërsa tulipanët jo. Sukses i rëndësishëm për moralin edhe te Franca që u imponua 1-0 ndaj Gjermanisë në një miqësore në Paris. Gjelat iu falën veprimeve teknike të Marsial, një prej të cilëve solli dhe asistin për golin e shënuar nga Zhirud, që vendosi takimin.

Top Channel