Dyshimet e para, atentatorët ishin belgë; 5 të arrestuar në Bruksel

13/11/2015 17:55

Kur kanë kaluar më shumë se 12 orë nga atentatet që tronditën Francën e më gjerë, ende nuk ka informacione të sakta mbi atentatorët.

“Ishin të bardhë, të rinj rreth 25 vjeç” dhe “Dukeshin si ushtarë të forcave speciale”, janë disa nga informacionet e publikuara në media të ndryshme online.

Nga të dhënat e konfirmuara dihet vetëm se, 8 prej tyre kanë vdekur, 6 janë hedhur në erë, 2 janë vrarë nga forcat speciale gjatë ndërhyrjes. Por nuk përjashtohet që të ketë pasur edhe të tjerë që mund të jenë arratisur dhe policia po i kërkon.

Nga disa dëshmi të mbledhura nga gazeta “Le Monde” flitet për dy makina të zeza, të drejtuara nga dy të rinj rreth të njëzetave, njëra prej të cilave e regjistruar në Belgjikë e që tashmë është gjetur.

Por bëhet fjalë për të dhëna që nuk kanë gjetur ende konfirmim. Të dhëna të tilla sugjerojnë se tre nga atentatorët e Parisit janë shtetas belgë dhe vijnë nga lagjia Molenbeek e Brukselit, e njohur për një operacion anti-terror të zhvilluar më herët gjatë vitit.

Për rrjedhojë, një operacion i gjerë po zhvillohet nga policia belge në Molenbeek-Saint-Jean, periferia perëndimore e kryeqytetit. Sipas televizionit lokal RTBF, që citon burime të rezervuara, agjentët po kryejnë tre bastisje të njëkohëshme në zonën në fjalë dhe 5 individë janë arrestuar.

Ndërkohë, ende nuk është konfirmuar as lajmi se në trupin e një prej kamikazëve të vdekur në Stadiumin e Francës është gjetur një pasaportë siriane.

Televizioni grek Antenna News citon zv.ministrin e Brendshëm, Nikolaos Toskas që thotë: “Pasaporta e gjetur pranë kamikazit është identifikuar se i përket një refugjati sirian të regjistruar në ishullin e Lesbos më 3 tetor”.

Ndërsa kanali Europe 1 raporton për identifikimin e një atentatori të dytë. Bëhet fjalë për një shtetas francez të identifikuar nga gjurmët e gishtave. Kamikazi ka lindur në lagjet periferike pariziene, ishte rreth 30 vjeç dhe ishte një personazh i njohur për shërbimet sekrete.

Ndërsa gazeta “Le Parsien” flet edhe për praninë e një gruaje mes atentatorëve në Bataclan. Gjithësesi bëhet fjalë ende për hipoteza, ndërkohë që autoritetet po analizojnë gjurmët e ADN-së të gjetura në vendet e ngjarjeve dhe gjurmët e gitshtave të vrasësve.

Ndërsa BBC, që citon burime pranë qeverisë britanike, raporton se atentatorët ishin një celulë e vetorganizuar që ishte kthyer në Francë nga Siria. Sipas rrjetit britanik, tek një nga kamikazët është gjetur edhe një pasaportë egjiptiane.

Top Channel