Afera me pronat, arrest 3 ish-zyrtarëve në Kavajë

14/11/2015 19:40

Prokuroria e Kavajës ka marrë lejen e gjykatës për arrestimin e tre ish-zyrtarëve të ndarjes dhe regjistrimit të tokave, të cilët dyshohen se kanë ndryshuar destinacionin e disa parcelave prej rreth 950 mijë metra katrorë tokë bregdetare.

Sipas një njoftimi për shtyp të organit lokal të akuzës, ish-zyrtarët e kanë vlerësuar këtë sipërfaqe si tokë “arë”, me qëllim regjistrimin e saj në emër të personave të ndryshëm, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Personat në fjalë janë shtetasit Idriz Thaçi, kryetar i Komisionit të Tokës në fshatin Vilë Boshtovë; Myzafer Xhelili, përfaqësues i rrethit të Kavajës; si dhe Fatos Gjuzi, kryeregjistrues i Hipotekës në Kavajë.

Sipas njoftimit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin këta persona kanë falsifikuar dokumente për prona të ndryshme, duke ndryshuar në disa raste destinacionin e tyre dhe në të tjera përmasat.

Për të tre ata, Prokuroria e Kavajës kërkoi në gjykatë masën e sigurisë “arrest me burg”, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues për Thaçin dhe Xhelilin, ndërkohë që Gjuzi u dënua me “arrest shtëpie”.

Kjo, pavarësisht se nga hetimet është provuar se ai, në cilësinë e kryeregjistruesit të pronave, ka qenë personi kyç në këtë skemë mashtrimi.

Prokuroria e Kavajës nisi hetimet mbi këtë rast në vitin 2014, pas sinjalizimeve nga Prefektura e Tiranës dhe Njësia Anti-korrupsion në Këshillin e Ministrave. Më pas, në 2015, për të njëjtin rast u dorëzua edhe një kallëzim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Top Channel