Turqi, në axhendën e samitit të G20-s edhe lufta kundër terrorizmit

15/11/2015 00:00

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kërkoi prej udhëheqësve botërorë gjatë së shtunës, që ta prioritizonin luftën kundër terrorizmit teksa do të mblidhen për një samit në jugperëndim të Turqisë, duke thënë se sulmet e Parisit të marra përsipër nga Shtetit Islamik treguan se koha për fjalë tashmë ka përfunduar.

Gjakderdhja më e rëndë në Francë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore ngre një re të zezë mbi përgatitjet për samitin dyditor të grupit të 20 ekonomive më të mëdha të botës (G20), që do të nisë këtë të dielë dhe pritet të ndiqet nga krerët e shteteve përfshi Presidentin amerikan, Barack Obama, si dhe homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Presidenti francez, Francois Hollande do të mbetet jashtë këtyre takimeve, por ka njoftuar Erdoganin përmes telefonit se pjesëmarrës do të jenë ministri i Jashtëm francez dhe ai i Financave, siç bëjnë të ditur burime presidenciale turke.

Të paktën 129 persona mbetën të vdekur në Paris, teksa persona të armatosur me kallashnikovë dhe me jelekë me lëndë shpërthyese kryen masakrën më të rëndë në kryeqytetin francez, duke shënjestruar një sallë koncertesh, restorante dhe bare shumë pranë stadiumit “Stade de France”.

“Jemi në një pikë ku fjalët nuk kanë më vend në luftën kundër terrorizmit. Jemi në një fazë, kur kjo luftë duhet të vihet në qendër të vëmendjes”, ka thënë Erdogan për reporterët përpara samitit, që gjithashtu pritet të ndiqet nga udhëheqës nga Europa, Kina, Japonia, Kanadaja, Australia dhe Brazili, mes të tjerësh.

Edhe pse samiti i G20-s përdoret zakonisht për t’u fokusuar në çështje ekonomike, lufta kundër terrorizmit pritet të jetë gjithashtu në axhendë. Samiti vjen dy javë pas bombës së dyshuar në një avion të kompanisë ruse që kthente 224 turistë nga Sharm el-Sheiku drejt Shën Pjetërburgut, të rrëzuar mbi gadishullin egjiptian të Sinait.

Ai mbahet gjithashtu vetëm një muaj pasi dy militantë të dyshuar të Shtetit Islamik hodhën veten në erë gjatë një mitingu paqeje në kryeqytetin turk, Ankara, duke lënë të vrarë mbi 100 persona, në sulmin më të rëndë të këtij lloji që ka goditur Turqinë.

Ngjarje si sulmet e Parisit e bëjnë tepër të domosdoshme për vendet më të industrializuara të botës, të qëndrojnë krah më krah gjatë këtij samiti, bëri të ditur zv.ministri kinez i Financave.

“Duhet të punojmë së bashku, si dhe të rrisim solidaritetin mes nesh”, tha Zhu Guangyou gjatë një konference për shtyp në resortin bregdetar të Belekut, ku udhëheqësit botërorë kanë nisur të mblidhen për samitin.

Ndërkohë, duke folur nga Vjena, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se ka një konsensus gjithnjë e në rritje mes fuqive botërore, mbi faktin se ata duhet të punojnë të gjithë bashkë për t’u përballur me Shtetin Islamik.

Top Channel