Obama, në Turqi me bindjen se Franca do të hakmerret ndaj ISIS

15/11/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama mbërriti në Turqi në orët e para të kësaj të diele, ku do të zhvillohen punimet e samitit të udhëheqësve botërorë, që ndryshe nga herët e kaluara ka marrë një sens urgjence për shkak të sulmeve vdekjeprurëse terroriste në Paris, që vendosin në krye të axhenës luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Obama, i cili i quajti sulmet e Parisit si “një përpjekje mizore për të terrorizuar qytetarët” në prag të nisjes së tij për në Turqi, do të përballet me pyetjet sesi duhet të kundërpërgjigjet tashmë Perëndimi, në një kohë që është bërë mëse e qartë se Shteti Islamik përbën një kërcënim përtej bastioneve të militantëve në Siri dhe Irak.

Uashingtoni pret gjithashtu nga Franca që të hakmerret, duke ndërmarrë një rol edhe më të madh në fushatën e bombardimeve të koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara kundër ISIS. Por, Obama synon t’u mbushë mendjen edhe udhëheqësve të vendeve të tjera të Europës dhe Lindjes së Mesme, për hapa më të prekshëm përmes angazhimeve ushtarake, bëri të ditur një zyrtar amerikan përpara se Presidenti të nisej për udhëtimin 9-ditor jashtë SHBA-ve.

Pritet gjithsesi të shihet nëse vetë Shtetet e Bashkuara kanë “oreks” për një përfshirje edhe më të thellë, pasi deri më tani i ka përshkallëzuar sulmet ajrore, si dhe ka zbritur në terren një numër të vogël të trupave operacionalë specialë në veri të Sirisë, por në rolin e këshilluesve të forcave opozitare në luftën kundër Shtetit Islamik.

Samiti dyditor i grupit të 20 vendeve më të industrializuara të botës (G20) i sjell udhëheqësit botërorë, përfshi Obamën, vetëm 500 km larg nga Siria, ku konflikti civil thuajse 5-vjeçar i ka transformuar militantët e Shtetit Islamik në një kërcënim për sigurinë globale, si dhe ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Obama pritet të zhvillojë bisedime dypalëshe me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, përpara nisjes së samitit dhe më pas, gjatë një darke pune do të zhvillojë bisedime me udhëheqës të tjerë botërorë mbi Sirinë, përfshi këtu çështje si antiterrorizmi dhe kriza e refugjatëve.

Top Channel