“Play-off”-et e Euro 2016; Suedia mposht danezët, që kanë ende shpresë; Ukraina fiton ndaj Sllovenisë

15/11/2015 00:00

Nuk i kishte shënuar kurrë Danimarkës, por Zlatan Ibrahimoviç ka zgjedhur mbrëmjen më të rëndësishme për të thyer këtë tabu, e megjithatë, goli i shënuar prej tij nuk i mjaftoi Suedisë për të siguruar që në ndeshjen e parë një biletë drejt Europianit “Francë 2016”.

Futbollistët e Danimarkës, në gjumë prej rreth një ore, arritën të futeshin në lojë dhe morën minimumin e mundshëm nga takimi i zhvilluar në Suedi, falë golit të Jorgensen, që u garanton danezëve një ndeshje kthimi më të qetë edhe pse sërish në disavantazh të një goli, në Kopenhagen.

Skuadra e drejtuar nga Hamren mbizotëroi takimin kundrejt danezëve, ndërkohë që Ibra tentoi në të gjitha format, qoftë edhe me asiste për Berg, i cili nuk shënoi, por ishte Forsberg në minutën e fundit të pjesës së parë që do të kalonte në festë vendasit.

Të dyja ekipet e kishin të ndaluar të gabonin, edhe pse ishin sërish larg të qenit decizivë dhe konstantë në lojërat e tyre. Edhe pjesa e dytë nis më mirë për suedezët, të cilët pas 5 minutash lojë, sërish me autorin e golit të parë fitojnë një 11-metërsh, pas ndërhyrjes së gabuar të Kahlenberg, një penallti që u mor përsipër të ekzekutohej nga Ibrahimoviç, që nuk gaboi përpara portierit danez.

Ky ishte goli i 9 për “Ibracadabra”-n gjatë fazës së ndeshjeve kualifikuese dhe asaj të “play-off”-it që sapo mbylli ndeshjet e para. Dhe, ashtu siç bëri për Botërorin e Brazilit, kur tha se nuk vlente aspak për sa kohë që Suedia e tij u eliminua nga Portugalia (sërish në ‘play-off’), të njëjtin “kërcënim” lëshoi edhe përpara sfidës në shtëpinë e tij: Nuk do të jetë një Europian i bukur pa mua.

Por danezët nuk u dorëzuan dhe arritën të paktën të shënonin golin e shpresës për ndeshjen e kthimit në Danimarkë, që do të zhvillohet pas 3 ditësh.

Në ndeshjen tjetër të “play-off”-it të zhvilluar ditën e shtunë, Ukraina mposhti 2-0 Slloveninë, duke hedhur një hap thuajse të sigurt drejt pjesëmarrjes në Europianin e vitit të ardhshëm, ku merr pjesë edhe Shqipëria për herë të parë në histori, pasi zhvendosi pikërisht Danimarkën për ndeshjet shtesë.

Top Channel