15 muaj burg shqiptarit për hyrje ilegale në Angli

15/11/2015 10:40

Ëndrra e një shqiptari për t’u futur ilegalisht në Angli me një pasaportë të falsifikuar është shndërruar në burg.

Zamir Restelica, 26 vjeç, pranoi përpara gjykatës së “Chelmsford Croën Court” të dyja akuzat për përdorim të dokumentave të falsifikuara.

Ai u dënua me 15 muaj burg dhe do të dëbohet për në Shqipëri në fund të dënimit.

Sipas mediave angleze Restelica mbërriti në aeroportin Stansted më 20 tetor 2015 i nisur nga aeroporti  Brno në Republikën Çeke.

Në pikën e kontrollit kufitar ai paraqiti oficerit të Border Force një dokument identifikimi bullgar.

Denise Robinson, nga departamenti i Home Office për Investigimet, e cila hetoi këtë rast tha se “oficerit të kufirit iu desh vetëm një moment të identifikonte cilësinë e dobët të falsifikimit të këtij dokumenti“.

Restelicës gjatë kontrollit të valixhes iu gjet një patentë britanike me një tjetër identitet si dhe pasaporta e tij e vërtetë shqiptare.

Gjatë marrjes në pyetje nga policia ai tha se kishte paguar 2.000 stërlina për blerjen e pasaportës bullgare të falsifikuar, pasi e kishte të vështirë të merrte një britanike në Shqipëri.

Paraqitja e një dokumenti të falsifikuar në aeroportet apo pikat kufitare të porteve britanike përbën vepër penale e cila dënohet nga 12 deri në 24 muaj burg.

Top Channel