Italia, në gjendje alarmi. Alfano: Një shkallë larg nivelit maksimal

15/11/2015 00:00

“Jemi vetëm një shkallë nën nivelin maksimal të sigurisë, aktualisht ndodhemi në nivelin e dytë”.

Kjo ishte deklarata e ministrit të Brendshëm të Italisë, Angelino Alfano, në përfunditm të mbledhjes së Komitetit për Rendin dhe Sigurinë Kombëtare, të mbledhur urgjentisht pas atentateve në Paris e të drejtuar nga kryeministri Matteo Renzi.

Si rezultat parashikohet dislokimi i 700 ushtarakëve në Romë dhe, në rast nevoje, ndërhyrja e forcave speciale.

Kryeqyteti italian konsiderohet si një prej objektivave të ardhshëm, aq më shumë pas deklaratave të mbështetësve të ISIS në rrjetet sociale, që përmendin Romën, Londrën dhe Ushingtonin, pas Parisit.

Objektivat ku do të përqëndrohen patrullimet dhe kontrollet janë bazilikat, me atë të Shën Pjetrit në krye. Prej natës mes të shtunës dhe të dielës, Enti italian për Aeroportet ka rritur nivelin e masave të sigurisë në të gjithë aeroportet e vendit, gjë që do të sjellë pritje më të gjata për kontrollet e pasagjerëve.

Një ditë pas atentateve, autoritetet italiane të rendit ndaluan manifestimet e solidaritetit në sheshin “Farnese”, ku ndodhet Ambasada e Francës, madje këshilluan që të evitohen grumbullimet për të mos angazhuar policë dhe karabinierë në këto vende, pasi është më e nevojshme të jenë vigjilentë në aktivitete të tjera më të rëndësishme.

Top Channel