Basha: BE nuk qas të korruptuarit

15/11/2015 12:15

Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, deklaroi nga Vlora se Shqipëria nuk arriti dot të hapë negociatat me BE-në këtë vjeshtë, duke dhënë si argument faktin se Europa nuk qas një qeverisje të korruptuar.

Korrupsioni i përhapur gjerësisht, siç tha ai, është arsyeja e largimit të 100 mijë shqiptarëve drejt Gjermanisë, ndërsa propaganda e qeverisë, shtoi Basha, e shet eksodin si pasojë e reformave në emër të bërjës së shtetit.

“Cilat reforma? Ata që çuan në shtator-tetor, sipas të dhënave të vetë drejtorisë së tatim-taksave në humbjen e 73 mijë vendeve të punës”, tha Basha.

Ndërsa veçoi njërën nga reformat, atë të arsimit të lartë, jo pa qëllim, po të kihet parasysh se ajo ka patur protesta të vijueshme nga studentët.

“S’është as anglo-saksone, as mesdhetare, as perëndimore, as lindore, as e djathtë, as e majtë, por një shpikje korruptive e një njeriu që nuk ka ditur kurrë se ç’është shkolla. Njerëzit ikin sepse janë viktima të korrupsionit, të vjedhjes masive të qytetarëve. Ikin sepse në këtë vend, e njëjta makineri e propagandës qeveritare, e njëjta dhe mediat e tyre punojnë natë e ditë për të ngulitur në mendjet e njerëzve se politika këtu është e pisët”, u shpreh Basha. 

Këtë  tezë të përdorur edhe nga kryeministri Rama,  si në opozitë dhe tani në pushtet, Lulzim Basha e  ka kundërshtuar përmes një thenieje të çekut, Vaslav Havel.

“Politika nuk është e pistë, por është llum për ata që janë të korruptuar. Ça e lidh sot Edi Ramen me Ilir Metën? Doktrina e majtë? Asfare! Vetëm pazari për pushtetin në tryezën e përbashkët, ndërsa janë gati t’i fusin thikën pas shpine njëri-tjetrit”, deklaroi Basha.

PD nisi nga Vlora  debatin kombëtar që i paraprin zgjedhjes së kryetarit të FRPD-së, aktivetet që u parapri nga mbajtja e një minutë heshtje për viktimat në Francë.

Top Channel