Robben, i pakënaqur te Bayern. United kërkon ta rrëmbejë

15/11/2015 00:00

Manchester United është vënë në ndjekje të Arjen Robben. Sulmuesi holandez ka shfaqur së fundmi pakënaqësitë e tij në ambientet e Bayern Munchen, për shkak të disa mosmarrëveshjeve me Robert Lewandowskin, e kjo ka bërë që “djajtë e kuq” të fillojnë të monitorojnë situatën e tij.

Ditët e fundit, Lewandowski deklaroi se preferon të luajë më shumë me Douglas Costan dhe Koman sesa me Robben, sepse holandezi është egoist, fjalë këto që nuk janë pritur aspak mirë nga ky i fundit.

Manchester United, pavarësisht se ka në përbërje futbollistë të talentuar si Depay apo Lingaard, do të kërtkojë të ketë në përbërje edhe Robbenin, të cilin do të përpiqet ta sjellë në “Old Trafford” në muajin janar.

Louis Van Gaal e njeh mjaft mirë Arjen Robben, pasi ka punuar me të edhe kur ishte trajner i kombëtares holandeze. Nga ana e tij, Robben, që në muajin janar do të mbushë 32 vjeç, ka deklaruar se është në gjendje të luajë në nivele të larta edhe për disa vite të tjera.

Në të njëjtën kohë, ai ka vënë në dukje se nuk i pëlqen të jetë zëvendësuesi i Koman apo Douglas Costas dhe kjo rrit shpresat e Manchester United për të blerë kartonin e tij.

Arjen Robben ka qenë edhe më parë në qendër të vëmendjes së klubit anglez. “Djajtë e kuq” e kërkuan atë edhe në vitin 2004, por bisedimet me PSV Eindhoven nuk shkuan siç duhej, ndaj dhe holandezi në atë kohë u transferua te Chelsea për 12 milionë paund.

Top Channel