Real Madrid, kolumbiani Rodriguez kërkon rritje page

15/11/2015 00:00

James Rodriguez shton problemet te Reali i Madridit. Sulmuesi kolumbian, pas polemikave me trajnerin Benitez, kërkon të merret edhe me drejtuesit e klubit “merengues”.

Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja “AS”, Rodriguez dëshiron të vlerësohet si yjet e tjerë të skuadrës dhe, për këtë arsye, do të kërkojë edhe një rritje page.

Kolumbiani që u paraqit mjaft mirë në ndeshjen mes Kolumbisë dhe Kilit kërkon të shpërblehet për rendimentin e lartë që po shfaq në fushën e lojës. Reali i Madridit pagoi 80 milionë euro për të blerë kartonin e James Rodriguez nga Monaco.

Paga aktuale e Rodriguez është në nivelin e lojtarëve të tillë si Pepe, Varane, Marcelo, Modriç apo Kroos dhe varion nga 4.5 milionë në 6 milionë euro në vit. James kërkon të ketë të njëjtën pagë si Sergio Ramos apo Gareth Bale, me 10 milionë euro në sezon.

Kjo nuk është hera e parë, që Reali i Madridit përballet me një situatë të tillë, kur një futbollist i kërkon rritjen e pagës. Më parë ishte Angel Di Maria, ai që u përfshi në kontradikta me Florentino Perezin, që sollën edhe largimin e tij nga “Los Blancos”.

Top Channel