Sulmet në Paris, BE mban takim emergjent të premten

15/11/2015 00:00

Luksemburgu, që kryeson Presidencën aktuale të Bashkimit Europian, ka bërë thirrje për një takim emergjent të ministrave të Drejtësisë më 20 nëntor, bazuar mbi kërkesën e Francës për të diskutuar përgjigjen e Europës kundrejt sulmeve terroriste në Paris.

Lajmi është mësuar përmes një deklarate të lëshuar nga vetë shteti kryesues i Presidencës së BE-së gjatë kësaj të diele.

“Përballë barbarizmit dhe terrorizmit, Europa qëndron e bashkuar me Francën – lexohej në të. – Pas ngjarjeve tragjike në Paris, kjo mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Drejtësisë dhe Marrëdhënieve të Brendshme do të forcojë përgjigjen europiane, ndërkohë që do të garantojë edhe ndjekjen e masave që do të merren”.

Sulmet terroriste të mbrëmjes së të premtes në Paris kanë marrë të paktën 129 jetë njerëzish të pafajshëm, ndërsa lanë të plagosur rreth 352 të tjerë, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Presidenti francez, Francois Hollande e cilësoi si një “akt lufte” të ISIS-it kundrejt Francës, ndaj dhe ka premtuar se do të përgjigjet pa mëshirë ndaj xhihadistëve, që morën përsipër autorësinë e ngjarjeve.

Top Channel