Policia serbe ka konfirmuar se një nga emrat që përmendet si pjesëmarrës në sulmet terroriste në kryeqytetin francez është regjistruar si refugjatë dhe ka këkuar azil në qendrën e Preshevës më 7 tetor.

Një ditë më vonë thuhet se një nga sulmuesit është regjistruar në qendrën Opatovac të Kroacisë.

Spekulimet se refugjatët mund të rekrutohen për terrorizëm ka brengosur jo vetëm banorët lokal të Preshevës, por edhe vetë refugjatët të cilët edhe kur Franca po kalon ditët e zisë, vazhdojnë në radhë me shpresën e ndihmës nga Perëndimi.

Ata thonë se nuk kanë dëgjuar shumë për sulmet, por janë të tronditur dhe kjo mund të ndikojë në fatin e tyre.

 “Këta njerëz nuk shqetësohen për askënd dhe ne kemi frikë, pasi duam të arrijmë diku të sigurtë dhe për këtë jemi shumë të shqetësuar”.

“Kjo që bëjnë këta njerëz nuk është e mirë dhe e drejtë për njerëzimin, për fëmijët. Kjo nuk është mënyrë, ne nuk i duam këta njerëz sepse kemi ikur nga këto gjëra për në Europë”.

Valon Arifi, që drejton organizatën “Youth for Refugees”, thotë se aktivistët nga e gjithë bota vazhdojnë punën e tyre, pasi refugjatët kanë nevojë për ndihmë.

Pasaporta e njërit prej atentatorëve thuhet të ketë qenë false. Kjo situatë mund të ndikojë në vështirësimin e rrugës për refugjatët nga Siria dhe vendet e tjera, pasi masat e sigurisë do të shtohen.

Top Channel