Hungaria në festë, kualifikohet për në Euro 2016

15/11/2015 00:00

Hungaria është skuadra e parë që ka siguruar një biletë për Europianin e vitit të ardhshëm nga faza e “play-off”. Pas më shumë se 30 vjetësh, hungarezët do të marrin pjesë në një kompeticion të madh.

Ata mposhtën Norvegjinë edhe në ndeshjen e dytë, kësaj radhe në stadiumin e Budapestit me rezultat 2-1.

Vendasit e nisën mjaft mirë duke kaluar në epërsi që në minutën e 14 me Priskin. Ashtu si në ndeshjen e parë, edhe në të dytën, norvegjezët ishin ata që dominuan, por dështuan të çojnë topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, Norvegjia shtoi sulmet në drejtim të portës hungareze, por në minutën e 83, një autogol i Henriksen dyfishoi epërsinë e hungarezëve.

Tre minuta nga fundi, Henriksen u mundua të përmirësojë gabimin duke shënuar një tjetër gol, kësaj radhe në portën e duhur, por norvegjezët nuk kishin më kohë. Ndeshja u mbyll 2-1 dhe në shkallët e stadiumit të Budapestit filloi festa.

Vlen të përmendet se para fillimit të ndeshjes, u mbajt një minutë heshtje në nderim te viktimave të Parisit, ndërsa edhe shumë tifozë mbanin në duar pankarta “Nuk kemi frikë” me flamurin francez.

Top Channel