Integrimi, Bregu: Një datë për negociatat; KE: Drejtësia, kriter kyç

16/10/2015 00:00

Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, kryetarja Majlinda Bregu, në prezencën e Christian Danielsson, drejtor i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Europian, kërkoi caktimin e një date për çeljen e negociatave të antarësimit.

“Hapja e negociatave nuk mund të jetë një garë pa kohë. Këtu ne, pala shqiptare, jemi të gjithë dakord. Nëse perspektiva e anëtarësimit bëhet e paqartë, e largët apo mbetet pezull, atëherë në vendet tona fillon vakumi i vendmimmarrjes, që mund të shkaktojë më shumë destabilitet. Prej së premtes përgjumja i ka pasojat e qarta, ndaj është më mirë të shkundemi të gjithë bashkë”, deklaroi Bregu.

Nga ana e tij, zoti Danielsson rikthesoi se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në 5 pesë prioritetet, por e vuri theksin tek reforma në drejtësi, si reformë kyçe për të ardhmen e integrimit.

“Progres i qëndrueshëm është shënuar në reformat e vështira. Shqipëria tashmë po ndërmerr një ndër reformat më të rëndësishme dhe të vështira siç është ajo në drejtësi. Këtë ne e vlerësojmë. Kjo reformë nuk do të jetë e rëndësishme vetëm për shoqërinë apo për procesin e integrimit, por sepse lidhet direkt me një sërë aspektesh të tjera si luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe mirëfunksionimin e rritjen e ekonomisë, përfshirë klimën e biznesit. Të gjitha këto janë të lidhura me këtë reformë e cila është thelbësore për të ardhmen”, deklaroi Danielsson.

Aldo Bumçi, anëtar i këtij këshilli ngriti shqetësimin për zgjedhjet e shkuara për të cilat Danielsson u shpreh se duhet të zbatohen rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

Deputetja tjetër demokrate, Albana Vokshi e quajti progres-raportin si të përciptë, pa një analizë të thelluar, duke shtuar se qeveria nuk ka një strategji për azilkërkuesit e kthyer.

Për këtë çështje, Danielsson u përgjigj duke deklaruar se, “azilkërkimi është çështja numër 1 për vendet e BE-së dhe Shqipëria është një vend i sigurtë, që do të thotë shanse zero për azil”.

Ndërsa Ylli Manjani, ministër i Drejtësisë, tha se, “ky raport i Komisionit Europian do të jetë Bibla e punës së tij”.

“Ajo që besoj se pret KE nga ne për reformën në drejtësi janë: e para, të biem dakord për disa ndryshime kushtetuese që duhet t’i paraprinë ndryshimeve të thella në drejtësi. Dhe e dyta, të bëjmë gjithë kuadrin ligjor, organizativ e funksional që buron nga kushtetuta e ndyshuar. Këto janë dy momente për të cilat besoj nuk duhet të ketë asnjë ekuivok. Jam i bindur se reforma e dekriminalizimit është e para, duhet bërë një orë e më parë. Sepse edhe për ne ka disa detyra ligjore që burojnë, siç është reformimi i Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, që duhet të japë këtë informacioin”, deklaroi Manjani.

Oerd Bylykbashi, kryetar i komisionit parlamentar për dekriminalizimin, i drejtoi zotit Danielsson pyetjen se, sa prioritet dhe fokus do të këtë nga Komisioni Europian zbatimi rigoroz i ligjit për dekriminalizimin.

“Për çështjen e largimit nga postet publike të personave me rekorde kriminale ne nuk kemi një AKI, që do të thotë një legjislacion europian, por janë disa vënde antare që e kanë një të tillë. Megjithatë, ne e konsiderojmë të rëndësishëm për ta ndjekur nga afër pasi të gjithë jemi të intersuar për një admistratë me profesionistë dhe mirëfunksionim të institucioneve demokratike. Kështu, ne do ta ndjekim prandaj edhe kjo çështje është përmendur në progres-raport”, u përgjigj Danielsson.

Pak më herët, në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Integrimit Europian, Danielsson deklaroi se progres është shënuar në të pesta prioritetet, ndërsa ministrja Gjosha u angazhua për një reformë në drejtësi gjithëpërfshirëve dhe të shpejtë.

Top Channel