Reforma në drejtësi, fillon fushata e kunsultimeve; takimi i parë në Elbasan

16/11/2015 00:00

Ka nisur sot në qytetin e Elbasanit konsultimi publik i paketës së ndryshimeve kushtetuese në lidhje me reformën në drejtësi.

Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë ka shpjeguar ku konsistojnë ndryshimet duke kërkuar edhe mendime e konsultime nga grupet e interesit apo shoqëria civile.

Shefi i misionit të EURALIUS, Ranier Deville tha se po punohet me kornizën e kësaj reforme. Deville përmendi gjithashtu ndryshimin e statusit social të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në qendër të të gjithë diskutimeve dhe propozimeve ishte shmangia e ndikimit politik në sistemin e drejtësisë.

Në cilësinë e ekspertes së grupit të punës për ndryshimet kushteuese, Aurela Anastasi tha se propozimet synojnë rritjen e besueshmërisë ndaj sistemit gjyqësor, forcimin e pavarësisë së pushtetit i cili është i lidhur ngushtë me forcimin e organeve që e ushtrojnë atë, shmangien e ndikimeve politike etj.

Ndërkohë, Ardian Visha, ekspert i nivelit të lartë për drejtësinë penale tha se qëllimi i kësaj reforme është të korrigjohen mangësitë e vërejtura deri tani.

Visha kërkoi që prokuroria të ketë iniciativë të lirë, gjë që sipas tij i ka munguar deri tani. Kariera e prokurorit është ende vulnerabël, tha ai, ndërkohë që sistemi ka mangësi për t’u vetëproceduar në raste të korrupsionit.

Në këtë tryezë ishin të pranishëm gjyqtarë, prokurorë e avokatë të cilët në diskutimet e tyre e vunë theksin tek emërimet dhe shkarkimet e gjyqtarëve apo prokurorëve, shmangien e rregulluar me ligj të konfliktit të interesit dhe ndikimit politik.

Tryeza për Reformën në drejtësi nisi me një minutë heshtje në nder të viktimave të atentateve në Paris. 

Top Channel