Rauli lë futbollin me një titull në SHBA

16/11/2015 00:00

Raul Gonzalez Blanco e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme karrierën e tij në futbollin e luajtur. Legjenda spanjolle arriti të shpallej kampion i ligës së dytë në futbollin amerikan me New York Cosmos, duke ndihmuar këtë skuadër që të fitojë në finalen e madhe ndaj Otavës me rezultatin 3-2, ku autori i të gjithë golave për njujorkezët ishte Gaston Celerino.

“Jam shumë i lumtur për fitoren, por edhe i trishtuar sepse mbyllet një faqe e rëndësishme e jetës sime. Jam shumë krenar për atë që kam arritur”, deklaroi Rauli pas përfundimit të ndeshjes, duke mos i fshehur emocionet e tij.

Ish-sulmuesi i Realit të Madridit festoi së bashku me shokët e tij të skuadrës dhe me vajzën në shpatulla. Në sezonin e fundit, 37-vjeçari spanjoll shënoi 8 gola, ndërsa në karrierën e tij të pasur, Raul Gonzalez Blanco ka zhvilluar 941 ndeshje, duke shënuar 404 gola me klubet ku është aktivizuar, ndërkohë që me përfaqësuesesn spanjolle ka luajtur 102 ndeshje me 44 gola të shënuar, por për fatin e tij të keq pa mundur të triumfojë me fanelën e kuqe.

Reali i Madridit është klubi me të cilin Raul ka shkëlqyer më shumë. Me “Los Blancos”, Rauli ka arritur të fitojë 6 tituj kampionë të Spanjës, 3 Liga Kampionesh dhe 2 Kupa Interkontitnentale. Këtyre sukseseve u shtohen rezultatet pozitive edhe me Schalke 04 dhe Al Saad.

“Tani për mua fillon një jetë tjetër, me projekte të reja”, ishte deklarata e legjendës së futbollit evropian, Raul Gonzalez Blanco.

Top Channel