Kosovë, rriten masat e sigurisë pas sulmeve në Paris

16/11/2015 12:05

Pas sulmeve terroriste në Paris, autoritetet kosovare kanë ndërmarrë masat e para të sigurisë, në kuadër të vlerësimit të rrezikshmërisë. Fillimisht, kjo është parë me forcimin e xhamave me shtresa mbrojtëse të objektit kryesor të qeverisë, si dhe me vendosjen e kamerave dhe alarmeve shtesë.

Po kështu, për të shqyrtuar gjendjen e sigurisë pas ngjarjeve në Paris, kryeministri Isa Mustafa mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Mustafa konstatoi se, Kosova duhet të jetë e përgatitur në të gjitha aspektet, që të përballet me kërcënimet e ekstremizmit të dhunshëm. Deri më tani është bërë e ditur se janë shtuar masat e sigurisë në vendet publike, institucione, përfaqësi diplomatike, objektet kulturore e fetare, si dhe në mjediset e përziera etnike.

“Institucionet e sigurisë, si Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) kanë punuar shumë në këtë aspekt. Ne kemi rezultate të dukshme në hetimin dhe arrestimin e individëve dhe grupeve të dyshuara terroriste, si dhe rrjeteve kriminale. Qeveria dhe institucionet e tjera kanë punuar gjithashtu në zhvillimin e infrastrukturës ligjore”, tha kryeministri Mustafa.

Një ditë më parë, një bashkëpunim policor mes Kosovës, Turqisë dhe Maqedonisë u ka ndëprerë në mes rrugën drejt Sirisë 3 kosovarëve, dy prej tyre meshkuj dhe një femër. Policia e Kosovës njoftoi se, ata u arrestuan në kufirin e Kosovës me Maqedoninë, pasi ishin kthyer nga autoritetet turke përmes Maqedonisë.

Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, janë dy rrafshe, mbi të cilat Kosova mund të jetë e rrezikuar. Ato kanë të bëjnë fillimisht me fluksin e refugjatëve, por pa mënjanuar këtu rrezikun që vjen nga vetë kosovarët, të cilët kanë shkuar në Siri e Irak e janë kthyer sërish në Kosovë.

“Perspektiva e parë e analizës ekziston, Shteti Islamik ka kërcënuar edhe publikisht Kosovën dhe ka vendosur, që Kosovën ta përfshijë në organizatën e vetë terroriste. Perspektiva e dytë është se, një numër i madh i qytetarëve të Kosovës kanë qarkulluar në luftën brenda organizatave terroriste. Dhe së treti, ekziston ndërlidhja e disa vendeve ku kanë qarkulluar nëpër organizata terroriste, dhe si e tillë mund të përbëjë rrezikun më të lartë për Kosovën, sa i përket ndonjë aktiviteti terrorist”, tha Burim Ramadani.

Prandaj, sipas Ramadanit, është i rëndësishëm bashkëpunimi me KFOR-in dhe shtetet aleate veç e veç.

“Njëkohësisht, bashkëpunimi dhe bashkërëndimi me KFOR-in dhe shtetet veç e veç është jashtëzakonisht i domosdoshëm, për shkak se mundësia e ndonjë aktiviteti terrorist me shënjestër Kosovën, si pjesë e rajonit ballkanik, është e lartë dhe mund të jetë edhe më e lartë në të ardhmen, sidomos nëse vazhdon fluksi i refugjatëve sirianë dhe irakenë”, tha Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë.

Kosova ka një numër të madh të shtetasve të saj, që janë pjesë e luftërave në Siri dhe Irak. Ajo konsiderohet se numëron më shumë pjesëmarrës për numër popullsie në krahasim me shtetet e tjera. Megjithatë, vullneti dhe dëshira për t’iu bashkuar organizatave terroriste në Siri duket se nuk është zbehur, përkundër miratimit të ligjit për parandalimin e kësaj dukurie.

Top Channel