Basha: 100 milionë dollarë, vetëm për bujqësinë

16/11/2015 12:30

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me banorë dhe fermerë të Selenicës në vijim të turit “Fjalën e kanë qytetarët”.

Sipas njoftimit për shtyp të Selisë Blu, Basha i ka njohur me programin për bujqësinë, që parashikon një buxhet prej 100 milionë dollarësh, buxhetin më të madh të planifikuar deri më sot. Aktualisht buxheti për bujqësinë është vetëm 5 milionë dollarë.

“Ne parashikojmë buxhetin më të madh për bujqësinë që ka patur ndonjëherë vendi. Sot e ka 5 milionë, ne do ta çojmë në 100 milionë. 100 milionë dollarë vetëm për bujqësinë. Nga të cilat, 40 milionë, siç i kemi llogaritur ne, do të përdoren për të zeruar taksat për fshatin. Kjo do të thotë që fidanët, farat, plehrat dhe naftën do t’i paguani pa taksë dhe pa akcizë”, u shpreh Basha.
 
Sipas PD-së, banorët shprehën shqetësim dhe përsa i përket rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe abuzimit me faturat aforfe që u vijnë banorëve të Selenicës. Basha dha këtë zgjidhje: “Të mblidhemi bashkë dhe me të gjitha mjetet t’ia shkurtojmë ditët kësaj qeverie. Ta rrëzojmë e ta çojmë vendin në një rrugë tjetër”.

Top Channel