Landfilli në Elbasan, Rama: Impianti do të prodhojë dhe elektricitet

16/11/2015 00:00

Qeveria nëpërmjet një investimi prej disa miliona euro synon modernizmin e trajtimit të mbetjeve në landfillin e Elbasanit.

Sipas kryeministrit Edi Rama i cili inspektoi punimet ky impiant i certifikuar sipas standarteve të Bashkimit Europian, përveç përpunimit të plehrave do të jetë në gjendje të prodhojë elektricitet. Ambicia tha kryeministri është që ky model të shtrihet në të gjithë vendin.

“Ja premtuam Elbasanit këtë dhe po ja bëjmë brenda mandatit dhe jo vetëm u zgjidh një problem, por faktikisht u kalua në një fazë komplet tjetër që s’e ka asnjë qytet tjetër. Ne jemi në përgatitje për ta përtërirë këtë eksperiencë edhe në disa zona të tjera, me shpresën e madhe që në një masë shumë të konsiderueshme ky problem do të zgjidhet me themel një herë e mirë dhe Shqipëria nga një vend i mbytur nga plehrat nga të katërta anët, jo vetëm për shkak të mungesës së pikave të depozitimit, por edhe për shkak të helmeve që ato prodhojnë të shndërrohet në një vend normal në këtë aspekt, siç e meriton faktikisht”, tha Rama.

Ndërkohë ministri i mjedisit Lefter Koka tregoi edhe për përfitimin energjetik që do të pasojë këtë investim.

“Do të prodhojë rreth 2.8megavat, nga të cilat 0.5 do të jenë të nevojshme për vetë impiantin dhe pjesa tjetër do të jenë të ardhura që do t’i shkojnë bashkisë së Elbasanit”, tha ministri Koka.

Paralelisht me punimet në landfill ka nisur edhe procesi i zhvendosjes së mbeturinave nga Elbasani në landfill, proces që do të përmbyllet brenda 3-4 muajve të ardhshëm.

Top Channel