Bushati takon Danielsson: Raporti, udhërrëfyes për ato që duhen bërë

16/11/2015 00:00

Raporti i Komisionit për progresin e Shqipërisë do të jetë një udhërrëfyes për ato që duhet të bëjmë, është shprehur ministri i jashtëm Ditmir Bushati, gjatë takimit me drejtorin e përgjithshëm për negociatat për zgjerimin në KE, Christian Danielsson.

Gjatë takimit, z. Danielsson theksoi vlerësimin pozitiv të raportit të Komisionit Evropian për progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim. Ai nënvizoi gjithashtu vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian për rolin e Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal.
 
“Krahasimi i vlerësimeve të Komisionit Evropian për të gjitha vendet e rajonit tregon se vetëm Shqipëria ka pasur progres në të gjitha fushat e vlerësuara. Për ne është e rëndësishme që progresi i njohur nga Komisioni Evropian të shërbejë si një burim energjie për të nxitur angazhimin tonë në objektivin e radhës, hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke siguruar përfitime të qëndrueshme dhe të prekshme për të gjithë qytetarët e këtij vendi”, është shprehur ministri Bushati.

Të dy palët evidentuan rëndësinë e koordinimit të hapave të mëtejshëm, mes Shqipërisë, KE dhe vendeve anëtare, deri në marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave.

Top Channel