Projektbuxheti për vitin 2016 rrezikon punën e Avokatit të Popullit në Maqedoni. Drejtuesi i këtij institucioni, Ixhet Mehmeti ka thënë se, qeveria ka caktuar buxhetin e zyrës së tij për vitin e ardhshëm pa u konsultuar fare, duke shkurtuar të gjithë zërat buxhetorë që i dedikohen Avokatit të Popullit.

“Meqë buxheti nuk mund të ndryshojë, unë bëj apel, që Ministria e Financave dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë të gjejnë mundësi përmes formave të tjera, që të mos pamundësohet puna e Avokatit të Popullit”, tha Ixhet Mehmeti, Avokati i Popullit në Maqedoni.

Zyra e Avokatit të Popullit, vitin e ardhshëm nuk do të mund të bëjë punësime për të plotësuar vendet vakante, pasi qeveria nuk ka parashikuar fonde për punësime në këtë institucion. Fonde nuk do të ketë as për monitorimin e situatës lidhur me përfaqësimin e drejtë dhe të përshtatshëm të shqiptarëve, si dhe pjesëtarëve të bashkësive të tjera jo shumicë në administratën shtetërore.

“Edhe pse Avokati i Popullit e ka detyrim kushtetues, që buron nga Marrëveshja e Ohrit, që të ndjekë mospolitizimin dhe përfaqësimin e drejtë e të përshtatshëm, jo vetëm që nuk jepen fonde, por shkohet edhe më tej: në Kuvend kemi një projektligji, sipas të cilit ky mandat kushtetues kërkohet të merret nga qeveria”, tha më tej Ixhet Mehmeti.

Të gjitha këto vërejtje, Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti i bëri në Kuvend, gjatë debatit rreth buxhetit të shtetit për vitin 2016. I pranishëm në këtë seancë ishte edhe ministri i Financave, Zoran Stavrevski, por ai nuk tha asnjë fjalë të vetme lidhur me këto ankesa.

Top Channel