Basha: Rama, kopjac i keq, vodhi sërish propozimin tonë

16/11/2015 17:30

Për Lulzim Bashën, Edi Rama nuk po vjedh vetëm paratë e shqiptarëve përmes tenderave dhe korrupsionit në dogana e tatime, por edhe propozimet e opozitës.

Kreu i Partisë Demokratike doli në një konferencë për mediet për të denoncuar “kryeministrin kopjac” në lidhje me paralajmërimin më të fundit të shefit të qeverisë për zerimin e tatimit mbi fitimin për biznesin që bën deri në 50 milionë lekë të vjetra xhiro vjetore.

“Edi Rama dhe skota e tij vjedhin ditë për ditë paratë e fermerëve, banorëve të qyteteve e të fshatrave, të punësuar, pensionistë, të rinj! Vjedhin taksat,  vjedhin doganat, vjedhin tatimet, ndaj nuk do habiteni po t’u them sot që kur e pamë duke vjedhur propozimet e opozitës nuk menduam keq, sepse një njeri që vjedh nga doganat 1 milionë dollarë në ditë, një njeri që shpërdoron 777 milionë dollarë në tendera e prokurime të drejtpërdrejta, nuk e ka për gjë të vjedhë propozimet e opozitës”, deklaroi Basha.

Megjithatë, për opozitën ekonomia e vendit është në krizë të thellë dhe kopjimi i keq i platformës së saj nuk do ta shpëtojë Edi Ramën.

“73 mijë të papunë vetëm në shtator-tetor. Janë çpunësuar si rezultat i masave represive, i kërbaçit të gjobave, i represionit selektiv dhe  antiligjore të bandës së tij të tatimeve. 100 mijë shqiptarë të larguar për një vit, 200 mijë të tjerë kanë aplikuar për t’u larguar në Amerikë, mijëra e mijëra të burgosur, të paraburgosur e të dënuar për një kupon tatimor. Në këtë klimë represiviteti, dhune, brutaliteti, ekonomia jo vetëm është tkurrur, por është në hemoragji. Bie kreditimi, bie konsumi, bie punësimi, mbyllen qepenat, falimentojnë bizneset. Pse?! Sepse Edi Rama me politikën e tij të mbrapshtë të rritjes së taksave, me të vetmin model të propagandës me regji qendrore, nuk ofron asnjë zgjidhje”, shtoi Basha.

Sipas Bashës, Edi Rama është një kopjac i keq, që nuk arrin të marrë dot konceptet dhe tërësinë e platformës ekonomike të opozitës, ndaj edhe i pabesueshëm për qytetarët, ndërsa jep edhe një shpjegim të lëvizjes së kreut të Qeverisë për të lehtësuar barrën fiskale për biznesin.

“Ka frikë sepse e ka parë që njerëzit janë ngritur në protestë e në revoltë, se zemërimi popullor po derdhet në rrugë, i studentëve, i të rinjve, i sipërmarrësve, të vegjël, të mesëm e të mëdhënj, i të papunëve, i pensionistëve që ka dy vite që i gënjen e i mashtron. I gënjeu për 300 mijë vende pune, i gënjeu për shëndetësi falas, i gënjeu për legalizime falas, i gënjeu për ulje taksash, i gënjeu për rritje pagash dhe pensionesh, i gënjeu për ulje çmimesh. Të gjitha dolën gënjeshtra. Tani dëshiron vetëm të fitojë më shumë kohë për të shtuar zullumin, vjedhjen, korrupsionin”, thotë kreu i PD-së.

Top Channel