Bruksel, antiterrori rrethon lagjen Molenbeek

16/11/2015 00:00

Top Channel ndoqi aksionin e njësive antiterror të policisë federale belge këtë të hënë në lagjen Molenbeek, vetëm pak kilometra larg selive të institucioneve të Bashkimit Europian.

Për plot 4 orë, banorët u detyruan të mos afroheshin pranë shtëpive të tyre, për shkak se policia ishte sinjalizuar për praninë e të dyshuarit kryesor për sulmet në Paris, Abdeslam Salah. Gjatë këtij operacioni u dëgjuan herë pas here të shtëna dhe pati shoqërime në polici, por Prokurori i Mbretit deklaroi se nuk pati “të arrestuar” dhe se veprimet e policisë vijojnë për kapjen e “armikut numër 1” (lista e të kërkuarëve – armiku i popullit numër 1).

Lagja Molenbeek, shumë pranë qendrës së Brukselit, dallohet për një prani të madhe të komunitetit arab, ndërsa shqiptarët hasen më rrallë dhe përmendet shpesh në mediat belge dhe ato europiane si qendër e xhihadistëve në Europë.

Pothuajse të gjitha aktet terroriste gjatë viteve të fundit kanë patur një lidhje me këtë lagje, qoftë për pjesëmarrje individësh, apo automjete, blerje armësh, planifikime, etj.

Së fundi, 3 nga sulmuesit e Parisit, thuhet të kenë jetuar në Molenbeek dhe sipas ministrit të Brendshëm francez, Cazaneuve, sulmi është planifikuar në Bruksel me mbështetjen e bashkëpunëtorëve të tyre në Francë.

Ndërkohë, flamujt e Aleancës Euro-Atlantike dhe Bashkimit Europian në gjysmështizë dhe një minutë heshtje u mbajt në mesditë tek të gjitha institucionet ndërkombëtare në Bruksel, në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste në Paris.

Pasi i dënoi me forcë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg  tha në fjalën e rastit se “Aleanca është më e vendosur se kurrë për të luftuar kërcënimin e terrorizmit dhe ekstremizmit.”

Ashtu si në Komision dhe në Parlamentin Europian, heshtja e mesditës shoqëroi edhe mbledhjen e ministrave të Jashtëm europianë, ku vijuan diskutimet mbi Sirinë pas takimit të Vjenës dhe mbi refugjatët, në vijim të samiteve të Maltës, si dhe mbi agjendën e procesit të paqes për Lindjen e Mesme.

“DAESH (ISIS) është një kërcënim për të gjithë ne që mblidhemi së bashku sot, ashtu si të premten, për të bashkuar forcat, duke njohur se ky nuk është vetëm një sulm ndaj një shteti, ndaj Europës, por është një sulm ndaj civilizimit, që kërkon bashkimin e forcave, ndarjen e informacionit dhe të agjendave politike. Ne duhet të shtojmë të gjitha përpjekjet diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, për të përballuar këtë kërcënim. Garancia e vërtetë për sigurinë tonë është parandalimi dhe shkatërrimi i grupeve terroriste kudo në rajon”, u shpreh Federica Mogherini, përfaqësuese e Lartë e BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme.

Mbledhja e ministrave europianë u mbajt ndërsa Brukseli ka rritur nivelin e masave të sigurisë, pas sulmeve terroriste në Paris, ndërkohë që është forcuar bashkëpunimi policor dhe inteligjent mes autoriteteve franceze dhe belge.

“Kemi një bashkëpunim mjaft të mirë me Francën mbi hetimet dhe po përpiqemi të qartësojmë rrjetin e tyre për ta zhdukur, që është sigurisht hap i parë. Nuk është hera e parë dhe e dimë që duhet t’i shtojmë veprimet tona në Molenbeek, e jo vetëm aty por dhe në vende të tjera të Europës. Për këtë nevojitet gjithnjë e më shumê shkëmbimi i inteligjencave. Nuk bëhet fjalë veç për një kombësi, ne kemi arrestuar shumë francezë në Bruksel dhe e dimë se shumë të tjerë kalojnë nga një qytet në tjetrin”, deklaroi Didier Reynders, minister i Jashtëm belg.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel