Mesjeta pas malit të Dajtit

16/11/2015 00:00

Pasi lë aksin kryesor, makina hidhet në rrugë pa rrugë, në një tatëpjetë ku nuk ka asnjë tabelë çka do të thotë se drejtimi për në fshat duhet hamendësuar mes shumë shtigjeve që kryqëzohen këtutejmi.

Shtëpitë e vjetra të bëjnë të mendosh se je rikthyer diku në mesjetë apo kilometra larg zonave të qytetëruara. Vështirë të thuhet nëse jetojnë më njerëz  në këtë vend apo jemi në rrugicat e një vendi të braktisur kushedi se kur?

Edhe me një makinë të lartë është e vështirë për të ardhur në këtë vend . E nuk ndodhemi në ndonjë zonë të hedhur kushedi se ku në hartë. Jemi në fshatin Fag të Tiranës. Kryeqyteti ndodhet vetëm pak më tej.

Fagu që dikur ka patur 150 shtëpi sot ka më pak se gjysmën të ndara në disa lagje. Shumica është larguar, në radhë të parë për shkak të rrugës e jo vetëm këtu, por në të gjithë fshatrat përreth. Në horizont duken Domja, Selba, Darsheni, Derja e me radhë…gjithkund është thuajse e njëjta gjendje. E të mendosh se të gjitha vuajnë jo për, 40, 30, 20 apo kushedi sa km rrugë, por për një grusht të tillësh. Diku 5, diku 6 apo 8 km siç janë deri në qendër të Fagut.

“Shumë dobët, shumë shumë dobët, pa asnjë lloj të ardhure çfarë bëjmë vetë ndonjë misër, grurë asnjë gjë tjetër. Nga shteti asnjë lloj ndihme. Për ta çuar prodhimin poshtë si do bëni? Me kalë deri te rruga e makinës. S’futet makina fare”, shprehet Abaz Rrahmani, banor.

Ky fshat, që duket si i bombarduar nga rrënojat e shtëpitë e vetmuara, dikur prodhonte gjithçka. Për të treguar mbarësin e tij, banorët thonë se vetëm ulliri nuk është kultivuar, të tjerat i gjeje kudo.

“Ka fukarallik. Është kujdes njeri për fshatin? Joooo”, thotë një tjetër banor.

Ata janë mikpritës edhe pse varfëria ja u ka mpirë jo pak buzëqeshjet. Fundja ç’mund të bësh në këtë vend kaq afër dhe larg kryeqytetit? Nëse nuk do të tregonim ku ndodhemi për gjithkënd do të ishte e pabesueshme të pranonte, se Fagu është fshat i të njëjtit qytet ku të përpin betoni,  dritat, zhurma, ku ecin zyrtarët e lartë e politikanët…askush prej tyre nuk e ka kthyer kokën. Vallë a e dinë që këtu pas është edhe ky fshat?

“Po ja kështu me gjë të gjallë nga një çik ai që ka. Ai që s’ka jeton dobeët. Dobët jetohet. Jo mirë. Si njëra parti, si tjetra parti me radhë të gjitha mo, hy këndej dil andej. Popullin…”, thotë Xhemal Balashi, banor në këtë fshat.

Edhe ndonjë prodhim që mund të marrin për ta nxjerrë në treg nuk bëhet fjalë. Transporti këtu kushton më shumë se sa fitimi që do të merrnin. Pa llogaritur që të gjitha bëhen me krahë ose me kafshë, asnjë mundësi tjetër nuk ka.

“Toka vetëm me kafshë këtu në Fag nuk ka asnjë zetor, asnjë lloj mjeti. Kështu që i mbjellim vetëm me kafshë. Këtu s’ka asnjë gjë o zotni”, thotë Mustafa Shima.

Ndërsa, Ibrahim Ozuni shprehet: “Kam blerë kal 1 milionë lekë, vetëm për të punuar tokën se nuk ka asnjë ndihmë nga shteti, as për zetor. Nafta, benzina kanë shkuar katastrofë. Nuk hyn në punë”.

Këtë vit pak frymëmarrje u ka dhënë gështenja, kush ka patur krahë pune ka mbledhur pakogjë sa për të garantuar thesin e miellit. Të tjerët mbijetojnë me vështirësi të vetëm, apo mbështesin njëri-tjetrin, duke ndarë apo këmbyer gjëra të vogla.

“Unë vetëm dy lopë kam. Burrë e grua kam ngelur. Kalamajtë kanë ikur nga e keqja, ikin se po të ishte mirë s’ikinin. Prej rrugës më shumë”, thotë një banor.

Edhe ndokush që ka provuar të kthehet e të thyejë monotoninë e shtëpive të vjetra, duke ndërtuar diçka të re, i ka vështirësitë të pafundme. Për të mos thënë se shpenzimet janë aq të mëdha dhe me aq humbje sa ata tërhiqen.

“Siç kam transportuar unë për shembull merr 8 paleta tulle e zemë, ke parasysh. Nga këto unë kam humbje 130 mijë lekë përveç atyre që bie, vetëm problemi nga rruga”, thotë Eduard Cedja.

A është zgjidhje që të gjithë të largohen e t’i shtohen numrit të lartë të të papunëve që rrotullohen pa mundur të bëjnë asgjë në kryeqytet. Këtu kanë tokën e tyre, kanë mundësitë për t’u marrë me bujqësi, me blegtori, me gjithçka që në qytet nuk do ta bënin dot. U duhet vetëm pak mbështetje, duke filluar nga rruga, e ndoshta duke u garantuar një treg, një mundësi për të shitur ato pak produkte që kanë. Ata nuk do të shkatërronin konkurrencën, nuk do të cënonin askënd, as ndonjë nga monopolistët e paprekshëm nga politika, ata do të garantonin diçka për familjet e tyre. E kështu pak nga pak do të mund, ndoshta, të ngriheshin e të jetonin normalisht, e jo si në një botë paralele, sepse i tillë është sot Fagu.

“Nuk ka drita fare, është siç ishte kandili njëherë e një kohë, që i themi kandil në, ato me vajguri. Dritat këtu janë copë. Këtu s’mund të ndezesh as televizor, nuk punon as radio, lavatriçja ëshë me e ble, nuk funksionon prej dritës”, shprehet Sami Biraçi.

Në vende të tilla fjalët nuk mjaftojnë. Dikush duhet të vijë edhe këtu e t’u tregojë edhe këtyre njerëzve se janë banorë të të njëjtit kryeqytet, ose më mirë që ende bëjnë pjesë në atë hartë që shpeshmi duket sikur i ka fshirë.

Top Channel