Ahmetaj: Heqja e taksës për biznesin e vogël rrit konsumin

16/11/2015 20:30

Në kulmin e debateve për ekonominë dhe programet, qeveria ndërmori këtë të hënë nismën për heqjen e tatimit të fitimit për biznesin e vogël dhe një ulje masive taksash për atë të mesëm.

Për të mësuar se çfarë do të sjellë konkretisht kjo nismë, në lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin qendror informativ në Top Channel, ishte ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Ilir Paço: Çfarë efektesh prisni të sjelle kjo nismë për bizneset dhe ekonominë dhe pse nuk e bëtë më parë?

Arben Ahmetaj: “Ajo që sot u deklarua nga kryeministri i Shqipërisë është pjesë e e premtimeve dhe të programit të PS dhe të Aleancës dhe të kësaj qeverie para se të vinim në pushtet. Zerimi i taksës për biznesin e vogël është një rrjedhojë e drejtpërdrejtë e suksesit të operacionit anti-informalitet. Sot përfitojnë 83 mijë sipërmarrje të vogla. Deklarimi i kryeministrit sot do të thotë se që nga 1 janari do të zerohet taksa për biznesin e vogël. Deri më sot, një pjesë e tyre kanë paguar 250 mijë lekë të vjetra në vit, pra do të paguajnë zero. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në 25 vite. Është hera e parë që biznesi i vogël paguan 0 taksa, përveçse detyrimin që të paguajë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Fasha nga 5 deri në 8 mln ka një ulje me 33 përqind. Për shkak të suksesit të reformave dhe të aksionit kundër informalitetit, sot biznesi i kësaj fashe do të paguajë vetëm 5 përqind tatim fitimi.

Ilir Paço: Çfarë pasojash do të sjellë në ekonomi kjo nismë?

Arben Ahmetaj: Së pari do t’u kthejë familjeve që janë punësuar apo vetëpunësuar 20 mln dollarë në xhepat e tyre, së dyti nga 1 janari do të heqë të gjithë tatimorët në kurrizin e tyre. nuk do të ketë më inspektorë tatimorë që t’i gjobisë dhe klima e biznesit është tërësisht e tyre. për më tepër, sipërmarrja e vogël i shton konsumit atë që do t’ja paguante qeverisë, familjeve dhe zinxhirit të konsumit. Ekonomia Përmes kësaj ka nëj xhiro të lehtësuar dhe fokusi i administratës vihet tek biznesi i madh. formalizimi i mëse 33 mijë bizneseve të vogla dhe rritja e xhiros së deklaraur të sipërmarrjes së madhe dhe deklarimi i 176 mijë vendeve të reja të punës bënë të mundur këtë lehtësim për biznesin e vogël. Biznesi i vogël është vetëpunësim. Sot ne bëjmë të mundur që ata të mos paguajnë më asnjë taksë.

Ilir Paço: A po kopjoni programin e opozitës, pasi Lulzim Basha ka disa javë që ka bërë propozime për taksat e biznesit të vogël?

Arben Ahmetaj: Opozita nuk ka program. Duhet të organizohet njëherë për veten e vet sepse nuk di ku është, të pastrohet njëherë për atë që i bëri Shqipërisë. Programi i parë i opozitës duhet të jetë pastrimi i vetes nga shkatërrimi dhe të kërkojë falje për gjobat, detyrimet e papaguara që nuk ja dha sipërmarrjes, për atë shkatërrim ekonomik, shpirtëror. Nëse quan program këtë xhiron që po bën e që po dëgjoja që fshati ka taksa. Ça taksash ka fshati? Fshati nuk ka taksa. Dikush ta këshillojë kreun e opozitës.

Top Channel