Fiks Fare, Urdhri i Farmacistëve vepron me dy standarde

16/11/2015 21:25

Urdhri i Farmacistëve punon me dy standarde. Kur ka interesa personale, kreu i urdhrit jep çertifikata për farmacistet e dypunësuara; kur nuk i intereson, bllokon dhënien e certifikatave.

Fiks Fare nisi këtë të hënë denoncimin e skandalit në fjalë pas ankesës së një grupi farmacistësh së mbërritur disa javë më parë në adresë të Fiksit.

Në letrën e farmacistëve denoncohet presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma.

“Diana Toma, në vend që të na mbrojë dhe përfaqësojë interesat tona, arsyeja për të cilën e kemi zgjedhur, në mënyrë arbitrare nuk na jep certifikatën e ushtrimit të profesionit dhe na pengon të punojmë dhe ta ushtrojmë atë detyrë. Ne kemi vite që ndërsa punojmë në punët tona, ushtrojmë edhe profesionin e drejtuesve teknikë në farmaci apo depo farmaceutike pas orarit të punës”, thuhet në letër.

Lidhur me këtë pretendim dhe për të respektuar kërkesën e farmacistëve për të mbetur anonimë, Fiks Fare nisi investigimin. Për këtë çështje, gazetarja e Fiksit kërkoi një intervistë me presidenten e Urdhrit të Farmacistëve. Kjo e fundit, jo vetëm që refuzoi të japë intervistën u mundua t’i shmanget gazetares dhe kameras së Fiksit.

Presidentja e Urdhrit të Farmacistes udhëzoi policin poshtë që t’i thoshte gazetares së Fiksit se mund ta takonte “për të diskutuar problemin”, por pa operatorin.

Pas këmbënguljes së gazetares së Fiksit, del asistentja e presidentes, e cila i thotë që mund të futet, por sërish me kushte; pa çantën dhe pa mikrofonin.

Në fund, presidentes së Urdhrit të Farmacistëve nuk i duket “bashkëpunues toni i gazetares së Fiksit.

Top Channel