Shqipëria barazon 2-2 me Gjeorgjinë; tifozët protestojnë ndaj FSHF-së

16/11/2015 21:55

Jemi mësuar që të na mundin apo të na e barazojnë rezultatin në minutat shtesë, por këtë herë jemi ne ata që e bëjmë këtë. Shqipëria barazoi 2-2 ndaj Gjeorgjisë falë Cikalleshit në minutën e 94-t. Më parë kishte shënuar edhe Basha.

De Biasi deklaroi pas ndeshjes me Kosovës se Shqipërinë e vërtetë do ta shohim në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, por në fakt nuk ka ndodhur kështu, pasi miqësorja e luajtur në “Qemal Stafa” mund të quhet eksperimentale për Kombëtaren tonë. Zëvendësime të shumta dhe shumë pozicione të ndryshuara në kombëtaren kuqezi, të cilët dhanë vetëm një barazim 2-2 dhe jo një fitore të shumëpritur.

Gjeorgjianët shënuan vetëm 120 sekonda pas nisjes së topit të parë, duke befasuar të pranishmit në “Qemal Stafa”. Pas një goditjeje dënimi nga mesi i fushës sonë, lojtarët gjeorgjianë ekzekutojnë një skemë dhe Amisulashvili shënon. Mbrojtja e Shqipërisë tentoi më kot ta zinte atë në pozicion jashtë loje.

Më pas, të besuarit e De Biasit në këtë 45 minutësh të parë, zhvilluan një lojë të mirë, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Në pjesën e dyte, italiani vendosi të ndryshojë disa nga lojtarët, duke hedhur në fushën e lojës, Bashën, Shalën, Djimsitin, Hoxhën, Manajn e Cikalleshin. Loja e kuqezinjve ishte e mirë, por rastet mungonin. Gjeorgjianët u treguan të zgjuar, duke shfrytëzuar mjaft mirë kundërsulmin dhe në një të tillë arritën të dyfishojnë shifrat në minutën e 52. Një aksion pa shumë pretendime për gjeorgjianët, kapiteni me numrin 7 gjen mes mbrojtësve shqiptarë Chanturian, i cili godet në anën e majtë të portierit Berisha dhe e mposht këtë të fundit.

Në minuta në vazhdim lojtarët e kombëtares sonë provuan disa herë dhe arritën të shënojnë golin e parë me anë të Migjen Bashës. Ky i fundit lëshoi një gjuajtje nga jashtë zone dhe portieri gjeorgjian e sheh topin pas shpinës. Më pas sulmet u shtuan dhe në minutën e katërt të shtesës ishte Cikalleshi që më në fund shënoi golin e tij personal me Kombëtaren dhe të barazimit në këtë miqësore. Përfundimisht ndeshja u mbyll 2-2, ndërsa Shqipëria shpëtoi nga një tjetër humbje me Gjeorgjinë, megjithëse nuk mundi të arrinte te fitorja.

Komenti i ndeshjes

Kjo ishte edhe ndeshja e fundit zyrtare e luajtur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Në janar, siç është bërë e ditur, ai do të shkatërrohet për t’u rindërtuar edhe më i madh.

Përfundon me rezultatin e barabartë 2-2 ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë.

94’- 94’- Goool Shqipëria. Sokol Çikalleshi shënon një supergol. Një stopim topi i mrekullueshëm me gjoks, një kthesë perfekte me trup teksa ai binte për në tokë dhe gjuajtja e tij përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë të portierit gjeorgjian.

92’- Navalovskii shtrihet në fushë i dëmtuar dhe kërkon ndërhyrjen e stafit mjekësor. Shqipëria respekton rregullat e “Fair Play”-t, duke e nxjerrë topin në rivënie anësore.

90’- Akordohen vetëm 4 minuta shtesë.

88’- Goool Shqipëria. Në kërkim të golit të parë prej disa minutash, kuqezinjtë e gjejnë atë me anë të Migjen Bashës. Ky i fundit lëshoi një gjuajtje nga jashtë zone dhe portieri gjeorgjian e sheh topin pas shpinës.

82’- Largohet numri 10 i Gjeorgjisë, Qazaishvili, për t’i lënë vendin një tjetër lojtari, Kobakhidze.

82’- Gjuajtja e Agollit përfundon ngjitur me shtyllën pingule të portierit gjeorgjian.

81’- Goditje dënimi për Shqipërinë nga një pozicion tepër i volitshëm. Një top që pritet të ekzekutohet nga Agolli. Navalovski i Gjeorgjisë ndëshkohet me karton të verdhë.

78’- Goditje këndi për Shqipërinë. Agolli kroson, topi largohet ndërsa Manaj e rikthen sërish te anësori i Shqipërisë. Por asnjë rrezik. Vetëm pak më vonë një krosim nga e djathta nga mbrojtësi Veseli, që kontrollohet mirë nga portieri mik.

76’- Largohet Gelashvili për t’i lënë vendin Tskhadadze te Gjeorgjia.

75’- Besart Berisha largohet për herë të parë në këtë edicion futbollistik. Në fushën e blertë futet Alban Hoxha, portier që mbron ngjyrat e Partizanit të Tiranës.

71’- Minuta të qeta loje, ashtu sikurse edhe një mungesë tifozlliku i paparë ndonjëherë. Tifozët Kuqezi protestuan fillimisht me anë të një banderole ku shkruhej: “Ku i keni tifozët de javu?”. Ndërkohë që tentuan të hapnin edhe një mesazh për Ismail “Ballist” Morinën, por nuk janë lënë nga forcat e rendit.

65- Largohet Gashi për Çikalleshin.

63’- Shkëlzen Gashi gjuan me të majtën, por topi përfundon jashtë kuadratit edhe pse gjuajtja ishte e fortë. Pritet zëvendësimi i tij me Sokol Çikalleshin.

61’- Tjetër zëvendësim për Shqipërinë. Largohet Odise Roshi dhe futet në fushën e blertë Rey Manaj.

60’- Një moment i mirë për Gjeorgjinë dhe disa minuta hutimi të mbrojtjes shqiptare. Qazaishvili tenton nga hyrja e zonës së rreptësisë.

58’- Gjeorgjia shumë pranë golit të tretë. Kuqezinjtë i shpëton vetëm shtylla e djathtë e portës së mbrojtur nga Berisha.

57’- Largohet Lenjani për Herolind Shala, ashtu sikurse dhe Taulant Xhaka për Migjen Basha.

54’- Shqipëria përgatitet për zëvendësime. Lenjani dhe Xhaka priten të largohen nga fusha e lojës, për t’u lënë vendin dy lojtarëve të tjerë. Edhe Manaj e Çikalleshi në nxehje.

52’- Goool Gjeorgjia 0-2. Një aksion pa shumë pretendime për gjeorgjianët, kapiteni me numrin 7 gjen mes mbrojtësve shqiptarë Chanturian, i cili godet në anën e majtë të portierit Berisha dhe e mposht këtë të fundit.

Nis pjesa e dytë e takimit miqësor Shqipëri-Gjeorgji.

Përfundon pjesa e parë e takimit pas dy minutash shtesë. Rezultati Shqipëri-Gjeorgji 0-1

45+2’- Taulant Xhaka ekzekuton një goditje dënimi nga e majta e sulmit. Topi përplaset te mbrojtësit gjeorgjianë, që e nxjerrin topin në goditje nga këndi.

45’- Arbitri i ndeshjes ndëshkon me të verdhë edhe Lobzhanidzen, për mbajtje të qëllimshme me dorë të kundërshtarit.

44’- Goditje nga këndi për Gjeorgjinë. Kroson Chanturia, por pa rrezik për mbrojtjen shqiptare.

40’- Një gol i rregullt i anuluar për pozicion jashtë loje nga Gashi. Ishte Djimsiti që dha një pasim për Sadikun, ky i fundit tentoi asistin për te Gashi, por anësori ngre flamurin e pozicionit jashtë loje, edhe pse ai e kishte dërguar topin në rrjetë.

37’- Rasti i parë i rrezikshëm i Shqipërisë. Djimsiti merr topin nga mesi i fushës, e jep topin te Gashi, ky i fundit e kalon te Lenjani nga e majta dhe topin e hedhur paralel me vijën fatale të portierit gjeorgjian nuk mbërriti ta devijonin dy lojtarë tanë.

36’- Aksion nga e djatha e gjeorgjianëve, por lojtari i tyre i vetëm në sulm zihet në pozicion jashtë loje nga mbrojtësit tanë.

30’- Andi Lila del nga loja, në vend të tij futet Berat Djimsiti. Mbrojtësi kavajas dyshohet të ketë pësuar tërheqje muskulare në kofshën e majtë.

26’- Një inkursion i gjeorgjianëve në zonën tonë të rreptësisë. Gelashvili jep një top për Chanturia, ky pengohet brenda zonës, por konsiderohet thjesht një humbje ekuilibri.

22’ – Shqipëria mer kartonin e parë të verdhë. Ajeti me numër 15 për shkak të një ndërhyrjeje ndaj Gelashvilit. Goditje dënimi e rrezikshme për Gjeorgjinë, pa asnjë rezultat.

20’- Sabien Lilaj fiton një goditje dënimi nga e djatha e sulmit të përfaqësueses shqiptare. Ekzekuton Xhaka, topi në zonën e rreptësisë por topi i goditur me kokë nga Roshi devijohet në largim nga mbrojtësit miq.

17’- Goditje kërcënuese nga Shkëlzen Gashi, por topi përfundon jashtë kuadratit.

15’- Një aksion nga e djathta i Roshit. Ky kroson për Gashin, që nuk e arrin me kokë. Topi përfundon tek Agolli, por gjuajtja e këtij të fundit përplaset te mbrojtësit gjeorgjianë, që e largojnë rrezikun.

13’- Sadiku jep një top për Roshin nga e djathta, ky e ul për Gashin, por lojtari me numrin 11 dështon ta marrë siç duhet në hyrje të zonës së rreptësisë.

12’- Godet Gashi, por topi përplaset në murin mbrojtës të Gjeorgjianëve. Shqipëria sërish në aksion.

11’- Pas disa pasimeve të njëpasnjëshme, Sabien Lilaj fiton një goditje dënimi nga pozicion ballor por me një distancë disi të largët.

8’- Rifillon takimi. Shqipëria në mesfushën e Gjeorgjisë. Thirrje nga tifozët kundër kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.

6’- Ndërpritet përkohësisht ndeshja, pas hedhjes së flakadanëve në fushën e blertë nga tifozët e pranishëm në sektorin D1 të “Qemal Stafës”.

4’- Shqipëria merr goditjen e parë nga këndi. Xhaka kroson në shtyllën e parë, por topi përfundon në rivënie fundore për miqtë nga Gjeorgjia.

2’- Goool Gjeorgjia. Pas një goditjeje dënimi nga mesi i fushës sonë, lojtarët gjeorgjianë ekzekutojnë një skemë dhe Amisulashvili shënon. Mbrojtja e Shqipërisë tentoi më kot ta zinte atë në pozicion jashtë loje.

Nis takimi miqësor, topin e parë e luan përfaqësuesja e Gjeorgjisë.

Para fillimit të ndeshjes, mbahet një minutë heshtjeje në nder të viktimave të sulmeve terroriste në Paris.

 

Top Channel