Ankesa të shumta nga deputetët në mbledhjen e grupit të PS

16/11/2015 00:00

Mbledhja e përjavshme e grupit parlamentar socialist, e drejtur nga Gramoz Ruçi, këtë të hënë është karakterizuar nga ankesa të shumta të ngritura nga deputetët e majtë.

Një burim i tha Top Channel se, fillimisht ka qenë deputeti Pjerin Ndreu, ai që ka ngritur shqetësimin në lidhje me mënyrën sesi janë duke operuar në terren specialistë të OSHEE-së, të punësuar që në kohën e qeverisjes së djathtë.

“Këta specialistë janë duke e kryer detyrën sipas bindjeve partiake, duke njoftuar mbështetësit e opozitës për operacionet, ndërkohë ata që ndëshkohen janë socialistët”, citohet të ketë thënë Ndreu.

“Kjo – ka deklaruar më tej deputeti Ndreu, – duhet të marrë fund, pasi reformat e nisura nga qeveria jonë nuk mund t’i sabotojnë në terren një grusht njerëzish të politizuar, në shërbim të opozitës”.

Ndërsa deputeti Paulin Sterkaj ka shprehur shqetësimin në lidhje me mënyrën sesi po sillen tatimorët me bizneset. Shqetësimi i tij lidhej me ndëshkimet për kuponin tatimor, të cilat janë sqaruar me detaje nga kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe.

Deputeti Bashkim Fino, nga burimet citohet të ketë ngritur shqetësimin e mosorganizimit të zgjedhjeve në bazën socialiste, ashtu siç e ka kërkuar Asambleja.

Të gjitha projektet në emër të “ribërjes së PS-së”, Fino i ka quajtur çorientuese për bazën socialiste. Me këtë, Fino i është referuar dokumentit të hartuar nga koordinatori i Jugut, Koço Kokëdhima, me qëllim riorganizimin e selisë rozë.

Por, ky shqetësim i Finos ka marrë përgjigje nga kreu i grupit, Gramoz Ruçi, i cili citohet të ketë deklaruar:

“Gjithçka do të ndodhë në zbatim të vendimeve të Asamblesë Kombëtare të para pak javëve. Ashtu siç përcaktohet në vendimin e Asamblesë, ashtu do të veprohet. Deri në ditën që do të zhvillohet Kongresi, të gjitha degët e partisë do të përfundojnë procesin e nisur tashmë, duke filluar që nga regjistri elektronik i anëtarëve, anëtarësimet e reja dhe zgjedhjet e strukturave lokale drejtuese”.

Kjo përgjigje e Ruçit për Finon, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë i drejtohet edhe deputetit Kokëdhima, duke e paralajmëruar se, asnjë propozim përveç atyre të Asamblesë nuk do të merret në konsideratë.

Disa javë më parë, Gramoz Ruçi ishte i pari, që hodhi poshtë idenë e Koço Kokëdhimës për shtyrjen e Kongresit të PS-së, i vendosur të mbahet në muajin janar të vitit 2016.

Top Channel