“Procesi Sportiv”, Duka flet për Kombëtaren, De Biasin, tifozët dhe Europianin

17/11/2015 00:00

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka ishte i ftuar tek “Procesi Sportiv”. Bashkë me dy lojtarët e Kombëtares, Sokol Cikalleshi dhe Andi Lila si dhe një ish kuqezi tjetër, Edvin Murati diskutuan për sfidën me Gjeorgjinë dhe jo vetëm.

Sa i përket golit të shënuar, Sokol Cikalleshi u shpreh shumë i lumtur, madje duke ia dedikuar golin e parë më fanellën e Kombëtares presidentit të FSHF-së, Armando Duka.

“Jam shumë i lumtur që më në fund arrita të zhbllokohem dhe të shënoj. E kam pritur me padurim këtë moment, pasi kam punuar dhe sakrifikuar shumë. Jam edhe më lumtur që goli im erdhi në minutat e fundit dhe që i siguroi skuadrës një barazim. Presion për të shënuar? Çdo lojtar ndjehet në presion dhe duhet të jesh një karakter i fortë që ta përballosh, sidomos kur jeni sulmues pasi mbahet mend vetëm goli. Por, jam i lumtur që më në fund Zoti ma shpërbleu”, tha Cikalleshi.

Miqësorja me Gjeorgjinë

Duka, duke e falënderuar Cikalleshin për dedikimin dhe duke parashikuar një Europian më shumë gola për sulmuesin, deklaroi se sfida me Gjeorgjinë ishte njëra nga ndeshjet më të dobëta, madje duke thënë se as barazimi nuk ishte i merituar për atë çfarë skuadra tregoi në fushë.

“Ndoshta ishim pak euforikë, duhet ta pranojmë. Qoftë edhe nga përbërja e skuadrës dhe nga lënia të lirë e shumë lojtarëve. Ndoshta, akoma nuk e kemi mbaruar festën, ishte edhe një ndeshje miqësore dhe rezultati nuk na rëndonte shumë, por po të ishte zyrtare do të na rëndonte shumë. Gjeorgjia nuk është një kundërshtar për t’u nënvlerësuar, por me këtë kundërshtar, në shtëpi, në një ndeshje zyrtare, duhet të marrësh tre pikët. Futbolli sot ka diferenca të vogla, për të marrë pikët duhet të jesh në nivel. Me ndeshjen që bëmë sot (dje) dhe barazimin e kemi shumë”, tha kreu i Federatës.

Ndërkohë, duke kujtuar bilancin negativ përballë Gjeorgjisë, Andi Lila u shpreh i bindur se Kombëtarja mund të mposht çdo kundërshtar, nëse jep 200% të saj në fushë.

“Me Gjeorgjinë kemi një bilanc negativ, por ne hyjmë në çdo ndeshje për të dhënë më të mirën. Nuk e di se si filloi ndeshja, me një gol të pësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë siç kemi bërë gjithmonë: me kokën ulur dhe këmbë në tokë. Forca jonë është e madhe, kemi fituar edhe me Portugalinë dhe me Francën. Dua të them që kur ne japim 200% në fushë mund të fitojmë përballë çdo kundërshtari”, tha Lila.

Lojtarët nuk janë stërvitur të dielën?

Duke kritikuar paraqitjen e Kombëtares në miqësoren me Gjeorgjinë, Gëzim Sinemati ka zbuluar se të dielën Kombëtarja nuk ka zbritur në fushën stërvitore sepse lojtarët janë ndjerë të tradhtuar për një reduktim të premios se premtuar, gjë që Duka është nxituar ta kundërshtojë.

“Nuk ka asgjë të vërtetë, Kombëtarja është stërvitur rregullisht sipas planit të saj. Mbledhje 3-4 orë? Mbledhje bëjmë para çdo ndeshje, bëjmë analiza, nuk ka asnjë lidhje. Është gjë e stisur, nuk ka lidhje me realitetin”, tha Duka, duke u mbështetur edhe nga Sokol Cikalleshi, por me dallimin se sulmuesi deklaroi se pavarësisht se ishin planifikuar dy seanca stërvitore, është mbajtur vetëm një për shkak të lodhjes së disa futbollistëve.

Bojkotimi i Tifozave Kuq e Zi

Ndërkohë, Tifozat Kuq e Zi kanë bojkotuar të dy miqësoret e fundit të Kombëtares, pas asaj të Kosovës, ata kanë protestuar edhe në ndeshjen kundër Gjeorgjisë.

“Është e drejta e gjithkujt të mendojë si të dojë, mund të jetë i kënaqur apo i pakënaqur nga organizmi i një ndeshje miqësore. Para organizmit të ndeshjes në Prishtinë vërtet jemi menduar të dy palët. Jemi menduar më shumë për një ndeshje miqësore, dikush thoshte që Kombëtarja të shkonte me patjetër sepse duhet të festohej kualifikimi, ndërsa dikush mendonte se nuk duhej luajtur. Por, jemi dy shtete. Ne jemi për sport, nuk jemi për politikë. Kosova ka një federatë, një ekip përfaqësues. Ata kanë nevojë të luajnë me ne dhe ne duhet t’ju ndihmojmë”, deklaroi Duka.

Mungesa e tifozëve në sfidën me Gjeorgjinë është ndjerë edhe nga lojtarët. Kështu të paktën thotë Sokol Cikalleshi.

“Tifozët kanë qenë lojtari i 12 i Kombëtares. Fatkeqësisht ishin të pakët në numër dhe kjo ndikon edhe në emocionet çdo lojtari. Duke pasur mbrapa tifozët, këto kualifikuese kemi bërë ndeshje shumë të mira”, tha sulmuesi.

“Lufta” për të marrë meritat

Ndërkohë, debati që lindi pas kualifikimit se kush ishte më meritori për suksesin e Shqipërisë, Duka e cilësoi si idiotësi, duke bërë thirrje që të qëndrojmë të bashkuar dhe jo të përçahemi.

“Më duket se e ndërpremë festën duke debatuar se kush na çoi në Europian. Debati ishte një idiotësi. Ne e arritëm këtë të gjithë bashkë. E realizuam ëndrrën tonë të madhe. Nëse skuadrat e tjera kanë lojtarë të mëdhenj, forca jonë është grupi. Kjo është arma jonë më e fortë dhe me këto debate duam të heqim nga dorë armën tonë më të fortë. De Biasi? Ka ndërtuar një skuadër shumë të mirë. Në një kohë kur Kombëtarja po ndryshonte brezat, më kujtohet që ditën e parë i kam thënë (De Biasit): Ne kërkojmë rinovimin e skuadrës me rezultate maksimale. Por, ai jo vetëm që e bëri këtë ndryshim brezash, por na çoi edhe në Europian. Kështu që nuk ka si të mos jetë meritë kryesore e një regjisori”, tha Duka.

Batutës së kapitenit Lorik Cana që ky do të jetë Europiani fundit për të, por nuk është i sigurt nëse do të jetë i tillë edhe për Dukën, kreu i FSHF-së iu përgjigj në këtë mënyrë: “Do të kemi edhe shumë Europianë të tjerë. Në Europian shkohet si shqiptarë. Brezat e ardhshëm do të na çojnë shpesh në Europianë.

Ndërsa, batutës së kryeministrit Rama se ai nuk është i interesuar për pozitën e kreut të federatës, por Duka duhet të synojë vendin e Platinisë, si president i FIFA-s, kreu i Federatës tha: “Nuk e besoj. Por, gëzohem që ai (Edi Rama) nuk synon vendin e kreut të Federatës”.

Dëshirat për shortin

Më 12 dhjetor do të hidhet shorti për grupet për Europianin e Francës 2016, ndërsa Marina Vjollca kishte vetëm një pyetje për kreun e Federatës, se kë e preferonte ai në grup.

“Po të kisha mundësi të zgjidhja do të doja të gjitha këto të vazos së katërt, por është e pamundur. Por, do të më pëlqente Franca që të hapnim Europianin. Pastaj, Franca ka ‘eksperiencë’ që të humbi ndeshjen hapëse”, tha Duka duke shkaktuar të qeshura në studio.

Franca ishte kundërshtar që do të donte edhe ish-numri 7 i kuqezinjve, Edvin Murati për arsyen e njëjtë sikurse të Dukës, ndërsa Cikalleshi i do “gjelat”, pasi thotë se Shqipëria “ia ka marrë dorën”.

Miqësoret e marsit?

Kreu i Federatës foli edhe për miqësoret e marsit, që do të jenë shumë të rëndësishme për shkak të përgatitjes së Kombëtares për Europianin e 2016-s. Edhe pse me rezerva, presidenti përmendi emrin e një kundërshtari të mundshëm.

“Kemi bërë një bisedë me Turqinë që na kanë thënë se duhet të presim shortin dhe pastaj do vendosim. Ndoshta do të luajmë me Turqinë”, u shpreh ai.

Rinovimi i De Biasit

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja. Tema e rinovimit të De Biasit u hap sërish në studion e emisionit “Procesi Sportiv”, me Dukën që thotë se italiani ka kontratë me FSHF-në deri më 2017.

“Nuk ka vend për rinovim, pasi De Biasi ka kontratë deri më 2017 me FSHF-në. Në futboll ndodh shpesh, qoftë edhe me futbollistë apo trajnerë, që pas një edicioni të mirë të rishikohen termat e kontratës. Ne këtë gjë ia kemi ofruar De Biasit me terma të përmirësuar, pasi u arrit ky sukses dhe u rritën edhe të ardhurat”, tha Duka.

Pavarësisht insistimit të Manushit, Duka nuk përmendi se cila është oferta konkrete e FSHF-së, por tha se i është ofruar rritje.

“Ne nuk kemi deklaruar shifra as me De Biasin, as me ndonjë trajnerë tjetër. Por, ka një rritje me disa për qind”, tha Duka duke qeshur.

Top Channel