Frikë nga sulmet, anulohet miqësorja Belgjikë-Spanjë

17/11/2015 00:00

Frika nga ndonjë sulm terrorist ka shtyrë Belgjikën që të anulojë miqësoren me Spanjën vetëm 11 orë para se të luhet sfida e shumëpritur.

Ndeshja duhej të luhej në stadiumin e Brukselit “Stade Roi Baudouin”, por me sugjerimin e qeverisë belge, federatat janë pajtuar ta anulojnë.

Kjo miqësore u vu në dyshim që pas sulmeve të së premtes në Paris, ndërsa zërat u shtuan të hënën, pasi Brukseli edhe zyrtarisht është i përfshirë në këto sulme pas operacioneve në “Molenbeek”.

“Pas bisedimeve me autoritetet dhe Federatën Spanjolle të Futbollit, Federata belge ka vendosur që të anulojë ndeshjen. Të hënën në mbrëmje, qeveria na ka kërkuar që të mos luhet ndeshja, për shkak të frikës nga ndonjë sulm terrorist, ndërsa edhe një i dyshuar mbetet në liri. Ne kuptojmë dëshpërimin e shumë mbështetësve për shkak të anulimit të ndeshjes, por nuk mund të vejmë në rrezik jetën e tyre dhe të futbollistëve”, thuhet në deklaratën e Federatës Belge të Futbollit.

Ndërkohë, para se të merrej vendimi, të dy trajnerët kishin dalë në konferenca të ndryshme, duke shprehur gëzimin që sfida do të luhej.

“Nuk jam i frikësuar. Kemi ardhur për të luajtur një ndeshje. Gjithçka do të shkojë mirë. Skuadra është në formë të mirë. Lojtarët janë të ndikuar nga ajo çfarë ndodhi në Paris, por ne dimë si të sillemi në situata të tilla dhe të fokusohemi në ndeshje”, deklaroi trajneri spanjoll, Del Bosque.

Top Channel