Euro 2016, Walters i dhuron kualifikimin Irlandës

16/11/2015 00:00

Jonathan Walters ka shënuar dy gola dhe e ka kthyer mbrëmjen e së hënës në një festë të vërtetë për irlandezët. Formacioni i Martin O’Neil mposhti 2-0 Bosnjë-Hercegovinën në sfidën e dytë të fazës “play-off” të luajtur në Dublin dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-1 fiton të drejtën për të qenë në Francë verën e ardhshme.

Minutat e para të ndeshjes ishin të ekuilibruara, por vendasit e çuan rrjedhën e lojës në favorin e tyre në minutën e 25, ku pas një prekjeje të topit me dorë nga një mbrojtës boshnjak, që u konsiderua 11-metërsh nga gjyqtari holandez Kuipers.

Nga pika e bardhë ekzekutoi saktësisht Walters, që bëri të shpërthente entuziazmi në stadiumin e Dublinit. Kundërpërgjigjja e Bosnjë-Hercegovinës ishte e menjëhershme, por goditja e Edin Dzekos përfundoi jashtë.

Në minutat e mbetura të pjesës së parë nuk pati ndryshim tjetër rezultati, ndërsa në fraksionin e dytë skuadra vendase u rreshtua mirë në prapavijë për të mbrojtur avantazhin që do t’i jepte kualifikimin.

Në të 60-ën Miralem Pjanic ishte i pafat teksa finalizimi i tij u bllokua në momentin e fundit, ndërsa 10 minuta më pas Irlanda realizoi golin e nokautit me të njëjtin autor Walters, që u gjend në vendin dhe kohën e duhur në zhvillimet e një goditjeje dënimi.

Përfaqësuesja ballkanase nuk gjeti forca për të reaguar në minutat e mbetura, me vendasit që festuan një kualifikim të merituar, ndërsa boshnjakëve nuk u mjaftoi cilësia e lojtarëve të tillë si Edin Dzeko apo Miralem Pjanic për të arritur një tjetër kualifikim në një event madhor pas Brazil 2014.

Top Channel