Autoritetet ruse konfirmojnë: Rrëzimi i avionit në Sinai, akt terrorist

17/11/2015 00:00

Kreu i sigurisë në Rusi dha sinjalin e parë zyrtar se, rrëzimi i avionit rus në Egjipt muajin e kaluar ishte një sulm terrorist.

Deri më tani, Moska ishte treguar e kujdesshme të mos artikulojë qartë, atë që duket si skenari më i mundshëm i incidentit ende të pazbardhur plotësisht.

Në mbetjet e “Airbusit A321” u gjetën gjurmë eksplozivësh të huaj, mësohet t’i ketë pohuar Presidentit Vladimir Putin, shefi i FSB-së, Alexander Bortnikov.

Putin u betua të gjejë e t’i ndëshkojë përgjegjësit e sulmit në gadishullin e Sinait, ku avionin thuhet ta kenë qëlluar e rrëzuar militantët e një grupimi të konsideruar degë e Shtetit Islamik në atë zonë.

Gati të gjitha viktimat ishin rusë, një pjesë e mirë turistë.

Bortnikov u shpreh hapur se, në bordin e avionit të “Metrojet” ishte vendosur një bombë e barazvlefshme me gati një kg TNT. Teksti i transkriptuar i bisedës së tij me Putinin u publikua në faqen online të Kremlinit.

Bomba, – sipas Bortnikov, – e ka shkatërruar mjetin në ajër, çfarë shpjegon copëtimin aq të madh të trupit të Airbusit. Reagimi i Putinit ishte i pritshëm.

Rusia, – u shpreh ai, – “do t’u vihet pas përgjegjësve të aktit të dhunshëm. Do ta zbulojë kush janë, do t’i kërkojmë në çdo cep të globit, kudo që të fshihen. Këta njerëz nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit tonë”.

Moska ka ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh, për këdo që jep informacione mbi organizatorët e sulmit të 31 tetorit. Provinca Sinai, një degë e Shtetit Islamik që vepron në gadishullin egjiptjan, deklaroi asokohe se ishte përgjegjësja e rrëzimit të avionit rus dhe arsyeja e këtij veprimi kanë qenë – sipas militantëve, – sulmet ajrore të Moskës në Siri.

Top Channel