Kosovë, trazira në Kuvend. Gaz lotsjellës e përleshje opozitë-forca sigurie

17/11/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës është shndërruar edhe njëherë në arenë përplasjesh të dhunshme, pasi deputetët e opozitës ndërprenë seancën plenare ende pa filluar, duke hedhur gaz lotsjellës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i kishte paralajmëruar që në fillim të seancës deputetët e opozitës se, në rast të ndonjë veprimi të dhunshëm do t’i pezullonte ata nga seanca, dhe ashtu ndodhi.

Deputetët e koalicionit qeveritar vazhduan punimet e seancës në sallën alternative të Kuvendit, ku deputetët e opozitës nuk u lejuan të hynin.

Ndërsa deputetët e opozitës përplaseshin me policët nëpër ambientet e Kuvendit, në sallën alternative, deputetët e koalicionit shqyrtuan dhe miratuan në lexim të parë projektbuxhetin e vitit 2016.

Në këtë seancë, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, i dënuan ashpër veprimet e opozitës.

“Kjo që ndodhi sot mendoj se ishte një akt kriminal i individëve, për të cilët institucionet e Republikës së Kosovës duhet të marrin masa. Është e papranueshme një tolerim i tillë i sjelljes në Kuvendin e Kosovës. Ata që sulmojnë, që hedhin gaz lotsjellës apo lëndë kimike, me të cilat rrezikohet shëndeti dhe jeta e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, qeverisë por edhe përfaqësuesve diplomatikë në Kuvend, duhet të përgjigjen përpara ligjit”, tha kryeministri Isa Mustafa.

“Përsëri sot, mbi 80 deputetë apo mbi 2/3-tat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, u ballafaquam me një sulm, e themi lirisht sepse nuk ishte thjesht një veprim opozitar, kundër koalicionit qeverisës. Veprime të drejtpërdrejta fizike, kriminale, të çmendura për të penguar punën dhe funksionimin e Parlamentit të Kosovës”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka paralajmëruar se, Kuvendi do të vazhdojë punën me seancat e radhës, ndërsa ka ftuar opozitën që të reflektojë dhe të kthehet në Kuvend për të dhënë kontributin e saj.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel