71-vjetori i çlirimit të Tiranës, Meta e Veliaj: Sot përballemi me terrorizmin

17/11/2015 10:35

Politikanë dhe veteranë kanë përkujtuar 71-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit shqiptar. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, por edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kanë kryer homazhe pranë “Ushtarit të panjohur” dhe kanë theksuar se, bota sot po përballet nga një tjetër terror, i cili pak ditë më parë goditi zemrën e Francës, Parisin.

“Me ngjarjet e Parisit na kujtohet sërish që duhet të bëjmë zgjedhje çdo ditë, se cilin qytetërim duhet të mbështesim dhe kujt do t’i përkasim. Më vjen mirë që Tirana, ashtu si 71 vite më parë, është në anën e duhur të historisë. Sot ajo është në anën e Parisit, ashtu sikurse dhe dje ishte në anën e një civilizimi që nuk duronte shtypjen dhe barbarinë. Sot lufta nuk ndodh nëpër male apo zona të largëta, por në zemrat e shteteve dhe goditet civilizimi në ato qytete që lulëzojnë më shumë. Besoj se edhe Tirana, si çdo qytet tjetër është i prekshëm, megjithatë më vjen mirë që zgjohemi në një qytet të lirë, që kujtojmë nga kemi ardhur për t’u siguruar që nuk përsërisim gabime në të ardhmen dhe për t’u siguruar se brezi i ri informohet se kombi ynë ka një destinacion dhe ky është Perëndimi e bota e civilizuar, së cilës i përkasim”, tha Erion Veliaj.

Meta tha se, Shqipëria është rreshtuar sot në krah të atyre vendeve që luftojnë terrorizmin.

“Mesazhi aktual i çlirimit të kryeqytetit dhe Shqipërisë ndaj bishës nazifashiste përkon sot me një mesazh të rëndësishëm, me kontributin që forcat tona të sigurisë japin në luftën kundër terrorizmit, që përbën të keqen më të madhe, me të cilën ballafaqohet sot Shqipëria, NATO, Europa. Me këtë betejë, vendi i Shqipërisë është gjithnjë në krah të forcave më përparimtare, progresive dhe kontributi i Shqipërisë nuk do të mungojë asnjëherë”, tha Meta.

Pas kryerjes së homazheve, historianë, por edhe veteranë të luftës kanë sjellë dëshmi të rëndësishme historike. Ish-Presidenti Alfred Moisiu tha se është shumë e rëndësishme, që politikanët dhe historianët t’i qëndrojnë linjës së historisë.

Top Channel