Kosovë, qeveria rrit me 25% përkrahjen sociale

17/11/2015 10:50

Mengjesin e së martës, qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar vendimin për rritjen për 25% të pagesave për çdo familje që merr asistencë sociale.

Vendimi nis zbatimin që nga ky muaj, ndërsa aktualisht nga Skema e Ndihmës Sociale përfitojnë rreth 26 mijë familje, me rreth 115 mijë anëtarë, të cilat kanë marrë ndihmë sociale në bazë të numrit të anëtarëve, nga 40-120 euro.

Buxheti për mbulimin e kostos së rritjes së ndihmës sociale në vlerë prej 25% është planifikuar edhe në buxhetin për vitin 2016.

Rritja e vlerës, përveç se do të ndikojë në rritjen e mirëqenies së këtyre familjeve, do të ndikojë edhe në zvogëlimin e shkallës së varfërisë, sidomos asaj ekstreme.

Kryeministri Isa Mustafa tha se, propozimi është shumë i goditur, meqenëse edhe mjetet janë siguruar. Qeveria ka miratuar edhe vendimin lidhur me përfitimet e ish-ministrave dhe ish-zëvendësministrave pas përfundimit të mandatit.

Sipas këtij vendimi, zv.kryeministrat, ministrat dhe drejtori i AKI-së pas përfundimit të mandatit do të marrin për një vit 70 për qind të pagës, ndërsa zv.ministrat për një periudhë 6-muajore, nëse nuk marrin të ardhura të tjera nga buxheti i shtetit.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe projektdokumentin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive.

Po ashtu, u aprovua propozimi që të parashihet autorizimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme që periodikisht të shpallë amnisti për grumbullimin e armëve.

Top Channel