Lu nxit dekriminalizimin, takon Bashën e ministren Felaj

17/11/2015 00:00

Ambasadori amerikan Donald Lu ka nisur një tur takimesh duke risjellë në vëmendje çështjen e dekriminalizimit, për të cilën ende nuk ka një zgjidhje dhe palët kanë mbetur, siç është thënë nga negociatorja e qeverisë, Ermonela Felaj, tek testi i drogës.

Pas takimit me Donald Lu, kreu i opozitës, u duk se la një shteg hapur, sesi mund të dilet nga ky ngërç, kur u pyet nëse Partia Demokratike do të tërhiqet nga testi i drogës.

“Testin e drogës PD nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tërheqje por kjo nuk e pengon aspak ligjin që të shkojë në Parlament dhe të votohet me gjithë dispozitat e tjera të rëna tashmë dakord”, tha Basha.

Menjëherë pas takimit me Lulzim Bashën, Donald Lu ka ndaluar në zyrën e ministres Felaj dhe nuk është çudi, që së shpejti projekti të kalojë për votim në Parlament. Për opozitën, dekriminalizimi është kyç drejt zgjedhjeve të lira. Aq sa lë pas, për nga rëndësia, edhe zgjedhjet e parakohshme.  

“Padyshim që zgjedhjet e parakohshme dhe një qeveri teknike që do ti paraprijë zgjedhjeve të parakohshme është një ndër opsionet politike që PD shtron në tavolinë. Por sot për sot ne insistojmë në përmbushjen e axhendës që është edhe aksioni ynë politik, ligji për dekriminalzimin për t’i hapur rrugë një politike të pastër, që është e denjë për shqiptarët dhe Shqipërinë”, ka thënë Basha.

Lulzim Basha, i cili thotë se ka mbështetjen e plotë të partnerëve për aksionin opozitar për dekriminalizimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të ministrave të korruptuar, i bëri qeverisë një thirrje të fundit për reflektim.

“Por ashtu sikundër PD, unë, qytetarët shqiptarë e shohim që ora po troket po kështu edhe partnerët ndërkombëtarë po e shohin që ora e vendimmarrjeve të mëdha po vjen. Do ti marrim këto vendimmarrje bashkë me kundërshtarët tanë politik apo do ti marrim pa ta, kjo nuk është në dorën tonë është në dorën e kundërshtarëve tanë politikë. Sot ju bëj një thirrje të fundit, të reflektojnë pa vonesë për ligjin për dekriminalizimin, të reflektojnë pa vonesë për gjendjen e mjerë të ekonomisë shqiptare  si rezultat i korrupsionit dhe hajdutërisë ose përndryshe në ditët dhe javët në vazhdim do të përballen me një aksion masiv, popullor, të Partisë Demokratike”,deklaroi ai.

Top Channel