Kreu i KM, Bruçaj: Mallkim për terroristët. Islami, feja e paqes dhe jo dhunës

17/11/2015 11:25

Në Shkodër është përkujtuar këtë të martë 25-vjetori i rihapjes së Xhamisë së Plumbit, xhamia e parë e ripahur pas rrëzimit të rregjimit komunist.

Aktiviteti është zhvilluar në teatrin “Migjeni”, ku kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj ka mbajtur një fjalim përmes të cilit ka ngushëlluar edhe familjarët e viktimave të sulmit terrorist në Paris.

“KMSH dënon bindshëm aktet e terrorit kudo që ndodhin, në Siri, Irak, Liban, Palestinë e Francë. Askush nuk ka të drejtë, në emër të çfarëdo ideologjie, të marrë jetën që të ka falur Zoti. Mbi të gjitha, askush nuk ka të drejtë të atashojë terrorin me fenë islame. Ne nuk është mirë të mallkojmë myslimanët, por nëse duam të bëjmë një mallkim duhet të mallkojmë terroristët dhe mbi të gjitha ata që i përdorin terroristët për qëllimet e tyre keqdashëse. Së fundmi më lejoni t’i lutem Zotit që bekimi i tij të bjerë mbi të gjithë ju”, ka thënë Bruçaj.

Hapja e Xhamisë së Plumbit vjen pak ditë pas meshës së parë në varrezat e Rimajit në Shkodër dhe në të kanë marrë pjesë me mijëra qytetarë të Shkodrës, jo vetëm të besimit Islam.

Oratorët në këtë event kanë vënë në dukje pikërisht bashkjetesën mes anëtarëve të komuniteteve të ndryshme fetare në qytetin verior.

Top Channel