“Shpërndani pica” në Gjermani, Berlini miraton ligjin për punësim legal

17/11/2015 00:00

“Pizza Delivery”, është ligji i miratuar në Gjermani tre jave më parë për t’i dhënë fund fluksit të paligjshëm të emigrantëve nga Ballkani Perëndimor, ku Shqipëria ka patur numrin më të madh të tyre.

Përmes këtij ligji Gjermania nga 1 janari i 2016 do të pranojë emigrantë të formalizuar me kontratë pune në këtë shtet dhe kjo jo vetem për profesionet me arsim të lartë, ndaj edhe ligji është quajtur “Shpërndarje picash”.

Ky shtet ka hequr si kusht gjithashtu sigurimin e një kontrate pune me pagesë mujore jo më pak se 4500 euro. Orientimi i qytetarëve shqiptarë në këtë proces, thote ministri i Punëve dhe i Çështjeve sociale Blendi Klosi për Top Channel, do të bëhet nga bashkëpunimi i dy qeverive.

“Për të gjitha këto ne së bashku me qeverinë gjermane, mbështetjen nga GIZ do të orientojmë në zyrat tona të punës, sportele të dedikuara për qytetarët shqiptarë që për çfarë profesionesh ka nevojë Gjermania dhe për të pasur mundësi ti orientojmë në aplikim apo realizimin e kërkesës së tyre për punësim të drejtë”, thotë Klosi.

Çdo shqiptar që ka deklaruar heqjen dorë nga kërkimi i azilit në Gjermani dhe është kthyer në Shqipëri deri përpara datës 24 tetor të këtij viti, sqaron me tej ministri Klosi, ka të drejtën të aplikojë sërish për vizë pune në Gjermani. Ata që janë të përjashtuar nga kjo e drejtë janë shqiptarët që aplikojnë për azil pas datës 24 tetor po të këtij viti.

“Pra, është dhe kjo një përpjekje e mëtejshme e qeverisë gjermane për të shprehur qartë atë që dhe ne po shprehim përditë e më shumë, që emigrimi i paligjshëm është me mundësi zero për punësim në Gjermani”, tha Klosi.

Njohja e gjuhës gjermane mbetet edhe në këtë ligj, domosdoshmëri për punësimin në Gjermani.

Ministri Blendi Klosi ishte në komisionin e politikës së jashtme, për çështjen e fluksit të largimit të shqiptarëve dhe për masat e qeverisë për rehabilimin e të kthyerve. Priten të kthehen edhe 60 mijë azilkërkues nga Gjermania. Të gjithë të kthyerve tha ministri Klosi iu është ofruar këshillimi dhe ndjekja e kurseve profesionale, sikundër edhe shërbimi me ushqim, ujë dhe medikamente.

Por reagimi i opozitës për trajtimin e çështjes së azilantëve, erdhi gjatë raportit të zëvendësminstrit të Brendshëm për masat e frenimit të flukseve.

“Vetëm gjatë kësaj periudhë janë refuzuar 13.500 shtetas të dalin të udhëtojnë në vendet e BE-së. Arsyeja është mosplotësim i kushteve për udhëtim në vendet e BE-së”, tha zv. Ministri i Brendshëm, Ilirjan Mustafaraj.

“Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Si mund të ndaloni ju shqiptarët të dalin, kur Europa i ka dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë, ju i thoni 13.500 shqiptarëve nuk do të dilni jashtë. Arsyet pse shqiptarët largohen kanë të bëjnë të gjitha me situatën ekonomike dhe shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha Aldo Bumçi

Komisioni i jashtëm ka organizuar disa seanca raportimi dhe diskutimi të çështjes së fluksit të azilantëve shqiptarë, kryesisht drejt Gjermanisë

Top Channel