Dënohet dhuna në Kosovë, Delawie: Aktet kanë kaluar çdo normë

17/11/2015 00:00

Ngjarjet e dhunshme në ambientet e Kuvendit të Kosovës janë dënuar ashpër nga ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, dhe nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, të cilët pas seancës folën para medieve.

“Kjo dhunë e ka kaluar masën. Këtu zgjidhja është mjaft e qartë: A doni një Kosovë demokratike, apo jo?! Anëtarët e Parlamentit, stafi dhe policia e kanë bërë qartazi zgjedhjen e tyre. Ata duan një Kosovë demokratike. SHBA-të kanë investuar në 16 vitet e fundit, duke ndihmuar popullin e Kosovës të krijojnë një vend, ku mund të zgjedhin udhëheqësit e tyre nga kutitë e votimit, e jo mbi dhunën e armët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim demokracinë në Kosovë, një Kuvend që funksionon normalisht, si dhe popullin e Kosovës”, tha Greg Delawie, ambasador i SHBA në Kosovë.

“Ata duhet të ballafaqohen vetë me veprimet e tyre, sepse ato janë të menduara, të organizuara dhe të paramenduara. Ato përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj deputetëve dhe qeverisë në Kuvendin e Kosovës. Janë veprime që nuk u pëlqen askujt t’i shohin në Kosovë dhe që po e dëmtojnë shumë vendin tonë. Ato, jo vetëm nuk janë demokratike, por e ritheksoj: përfundimsht janë veprime kriminale”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Por pavarësisht kritikave që morën dhe pezullimit nga seanca, deputetët e opozitës u shprehën të vendosur në kauzën e tyre për të pamundësuar punën e Kuvendit, derisa qeveria të tërhiqet nga marrëveshjet me Serbinë dhe me Malin e Zi.

“Kjo mbledhje që po mbahet në një skutë nuk është seancë, nuk është as legjitime. Ne, deputetët e opozitës jemi munduar dy herë të marrim pjesë në atë mbledhje, por jemi penguar nga Policia e Kosovës. Policia sot ka qenë e dhunshme, kanë përdorur edhe gaz lotsjellës. Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu janë lënduar nga gazi lotsjellës i policisë”, tha Visar Ymeri, kryetar i VV.

“Kosova është ndarë sot, në ata që janë pro Zajednicës dhe ata kundër. Atyre të parëve nuk u bën përshtypje nëse japin dhuratë territor të Kosovës. Ata po mbajnë një mbledhje të paligjshme”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

“Ky pushtet nuk njeh gjuhë tjetër, përveç arrogancës. Kjo është përpjekja më serioze e këtij koalicioni, për të instaluar një shtet policor në Kosovë”, tha Fatmir Limaj, kreu i Nismës për Kosovën.

Deputetët e opozitës, pas përfundimit të ngjarjeve në Kuvend janë shpërndarë nëpër selitë e tyre partiake, për të vendosur për veprimet e tyre të mëtejshme.

Top Channel