BE, program për argjinatura dhe infrastrukturë mbrojtëse

17/11/2015 11:45

Në Novoselë të Vlorës, një prej zonave të përmbytura në shkurt të vitit 2015, Bashkimi Europian nisi “Programin e rimëkëmbjes nga përmbytjet”.

Nga ky program, Shqipëria përfiton rreth 16 milionë euro për të përmirësuar menaxhimin e përmbytjeve dhe parandalimin e rrezikut.

Michela Matuella, drejtoreshë e njësisë për Shqipërinë në Komisionin Europian, tha se, nëpërmjet këtij programi synohet ndërhyrje, që jo vetëm të sigurojmë se dëmet do të përmirësohen dhe riparohen, por programi bën më shumë se kaq.

Ky program konsiston në ndërtimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga përmbytja me një vlerë prej 6.3 milionë eurosh, si financim i BE-së, si dhe ngritjen e një mekanizmi për lajmërimin e katastrofave natyrore, me vlerë 2.5 milionë euro.

Kryeministri Edi Rama falenderoi BE-në për ndihmën, por theksoi se qeveria do të ndërmarrë një sërë masash parandaluese për t’i paraprirë situatave të përmbytjes.

“Ne kemi gati një reformë radikale për kalimin në përgjithësi të pushtetit vendor jo vetëm të një pjese të madhe të forcave të punës në bordet e kullimit dhe të një pjese të konsiderueshme të arterieve të ujitjes dhe kullimit, por dhe të një mbështetjeje si asnjëherë më parë financiare, për të pastruar të gjithë kanalet kulluese dhe ato ujitëse, që për 25 vite nuk janë prekur me dorë, dhe të tilla ka në çdo bashki”, u shpreh kryeministri Rama.

Qeveria – tha më tej kryeministri Rama, – në bashkëpunim me BE-në do të kompensojë 4083 persona, për dëmet që iu shkaktuan gjatë shkurtit të 2015-s, përfshi grante investimi për subjektet, të cilëve iu shkaktuan dëme gjatë përmbytjeve, me vlerë 7.1 milionë euro.

“Për herë të parë një qeveri në Shqipëri po bën gjënë e duhur. Për një vit rresht nuk i jemi ndarë problemit të përmbytjes. Ndërkohë që një vit më parë kemi paguar dëmshpërblimin për përmbytjet e viteve të shkuara në zonat e ultësirës së Shkodrës, që ishin mbledhur kapicë në gjithë atë malin e borxheve, që qeveria u kishte njerëzve. Ishin jo pak, por miliona e miliona euro”, deklaroi Rama.

Kryeministri kërkoi shtrirjen e kulturës së sigurimit të pronës nga fenomenet natyrore.

Top Channel