Kerry, në Paris: Nuk është luftë civilizimesh. Ata, përbindësha psikopatë

17/11/2015 00:00

“Përbindësha me probleme mendore”. Të tillë ishin për Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, autorët e sulmeve të së premtes në Paris. Përpara Ambasadës amerikane në kryeqytetin francez, ku ndodhet për bisedime me shefin e Elizesë, Francois Hollande, Kerry e quajti Francën “miken më të vjetër të Amerikës dhe aleaten e parë”, e shtoi se “e vetmja përgjigje për dhunën që tronditi vendin, duhet të jetë një ndjenjë e pakufijshme solidariteti”.

“Vëllezërit dhe motrat tuaja amerikane do të qëndrojnë krah për krah jush, ashtu siç kanë qëndruar historikisht. Sot, ne jemi të gjithë parizienë. Lufta kundër ISIS-it nuk është përplasje civilizimesh. Ata janë thjesht disa përbindësha psikopatë. Nuk ka asgjë të civilizuar te këta njerëz”, tha Kerry.

Pas komenteve të Kerryt, ndërtesa e Ambasadës u ndriçua me ngjyrat e flamurit francez; blu, të bardhë e të kuqe.

Sulmet e koordinuara të 4 ditëve më parë, që lanë 130 të vdekur e mbi 400 të plagosur, një pjesë e të cilëve rëndë, i kanë rimobilizuar shtetet perëndimore në fushatën e tyre kundër ISIS-it. Kryeministri britanik, David Cameron njoftoi miratimin e fondeve shtesë për forcat speciale të vendit, siç janë ato elite “SAS”.

Në një seancë të rrallë të përbashkët të të dy dhomave të Parlamentit francez, Hollande kërkoi zjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, e tha se me mijëra policë të rinj do të rekrutohen.

Mëngjesin e së hënës, forcat franceze të rendit ndërmorën mbi 160 operacione “blic” me në shënjester persona të dyshuar si militantë islamikë. 23 vetë u prangosën, 104 të tjerë janë vënë në arrest shtëpie, e me dhjetëra armë janë sekuestruar.

7 ishin sakaq të arrestuarit në Belgjikë përgjatë fundjavës. Dy prej tyre përballen zyrtarisht me akuzën e pjesëmarrjes në një sulm terrorist; 5 të tjerët më vonë u lanë të lirë, përfshirë Mohammed Abdeslam, vëllain e njërit prej atentatorëve, Brahim Abdeslam, të vrarë të premten, dhe 26-vjeçarit Salah Abdeslam, njeriut më të kërkuar sot nga policia franceze.

Hetuesit janë të përqëndruar gjithashtu edhe te belgu me origjinë marokene, Abdelhamid Abaoud, i lakuar gjithmonë e më shumë si arkitekti i sulmeve në Paris. 27-vjeçari banonte në lagjen Molenbeek të Brukselit, ashtu si dhe dy atentatorë të tjerë, ndërsa aktualisht duket të jetë në Siri, ku po ngjit shkallët e udhëheqësisë në radhët e Shtetit Islamik.

Top Channel