Skema e sulmeve terroriste; përgatitja nga Siria deri në Belgjikë, ekzekutimi në Paris

17/11/2015 00:00

Të ideuara në Siri, të planifikuara në Belgjikë, të zbatuara në Francë. Skema e sulmeve të Parisit, siç e tregoi dhe Presidenti, Francois Hollande, mbështetej në një model të përdorur më herët në shkallë më të vogël, e që sot rrezikon të përsëritet edhe në pjesë të tjera të Europës.

Një pjesë e mirë e atentatorëve kishin qenë në Siri. Aty i kishin përgatitur, indoktrinuar, instruktuar. Stërvitja e rezervuar europianëve luhatet nga disa muaj në periudha më të gjata, por në raste të caktuara shkon edhe vetëm pak javë.

Truri i goditjes së Francës, Abdelhamid Abaaoud, kishte qenë kontakt me disa prej të rekrutuarve, pasi ai është personi që pret përgjithësisht vullnetarët francezë e belg në Raqqa, megjithëse punon edhe me afrikano-veriorë.

Në të kaluarën, belgu me origjinë marokene, i njohur edhe si Abu Omar, u ka dhënë shuma të konsiderueshme parash bashkëpunëtorëve, të dërguar pas kësaj mbrapsht me detyrën të kryejnë atentate. Jo domosdoshmërisht të sofistikuara: zgjidh shënjestra të lehta, mësohet të ketë këshilluar njërin prej këtyre individëve.

Për këtë arsye, edhe disa vëzhgues tregohen të kujdesshëm në peshimin e vlerës reale të këtij terroristi. Më shume sesa mendja, ai – sipas tyre, – mund të jetë koordinuesi i veprimeve. Mbase dikush tjetër më lart se ai, është njeriu arkitekt i terrorit në Paris.

Faza e dytë është thurja e komplotit në Bruksel. ISIS-i e ka zgjedhur prej kohësh Belgjikën si urë avancimi për sulme në vendet fqinje; taktikë e vjetër, por mesa duket e efektshme. Territori belg, me një traditë të hershme pranie islamikësh radikalë, të lidhur fort me pjesën tjetër të kontinentit të vjetër, e ka furnizuar ISIS-in me qindra vullnetarë.

Eshtë vendi ideal, – thonë mediat e huaja, – për të planifikuar mësymje e për të blerë armë në tregun e zi. Abu Omar kishte lidhjet e tij në lagjen Molenbeek e në zona të tjera të kryeqytetit belg, të konsideruara si “të vështira”.

Faza e tretë ishte ekzekutimi i planit, zhvendosja e sulmuesve në rrugët e Parisit. Muxhahedinët u sollën si luftëtarë të infiltruar në kampin armik, duke arritur t’u shpëtojnë kontrolleve, edhe pse disa prej tyre nuk ishin emra të panjohur për autoritetet, e siç rezulton tani, ishin denoncuar disa herë si elementë të rrezikshëm nga Turqit.

Por shërbimet amerikane të inteligjencës nuk i njihnin. Vrasësit vepruan duke vënë në shënjestër njerëz krejtësisht të pambrojtur, ndaj dhe arritën të ekzekutojnë me dhjetëra vetë në bare, restorante dhe në sallën e koncerteve. Ndërsa goditja e objektivit të vetëm ku kishte masa sigurie, stadiumit “Stade de France”, dështoi të prodhonte të njëjtin efekt.

Top Channel