Masat antiterror ne Kosovë, agjentët mbajne nën vëzhgim simpatizantët e ISIS

17/11/2015 00:00

Ngjarjet e fundit terroriste në Paris kanë alarmuar Agjencinë Inteligjente të Kosovës, e cila ka marrë menjëherë masa shtesë në vëzhgim të kosovarëve, të dyshuar për lidhje dhe kontakte me pjesëtarë të ISIS.

Top Channel ka mësuar nga burime të konfirmuara se, Agjencia e Inteligjencës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë zgjeruar rrethin e kosovarëve të vëzhguar, si të dyshuar për lidhje dhe kontakte me ISIS.

Mësohet se rreth 50 kosovarë, ku përfshihen imamë të disa xhamive dhe qytetarë të moshave të ndryshme, janë duke u përcjellë në çdo lëvizje që bëjnë, pasi ka prova se ata kanë kontakte me kosovarët që luftojnë dhe janë ende pjesë e ISIS.

Agjentët dhe policët e shërbimeve kosovare të kundërzbulimit janë duke shkëmbyer në vazhdimësi informacione, sidomos me shërbimet sekrete të Maqedonisë, ku dyshohet se vendosen kontaktet e para të kosovarëve që mund të lidhen me ISIS.

Gjithashtu, Top Channel ka mësuar se grupet e specializuara të inteligjencës kosovare janë duke monitoruar dhe kanë zgjeruar perimetrin e vëzhgimit në komunikimet elektronike të qytetarëve të dyshuar, duke pasur në vëzhgim të gjitha komunikimet e tyre, qoftë në telefona, apo në internet.

Të gjitha informacionet, që kanë lidhje me ISIS dhe kosovarët e dyshuar, janë duke u shkëmbyer edhe me agjencitë e inteligjencës të vendeve, me të cilat shteti i Kosovës ka bashkëpunim të ngushtë.

Sipas vëzhgimeve dhe hetimeve që janë kryer deri më tani, vlerësohet se Kosova nuk bënë pjesë në hartën e vendeve ku mund të kryhet ndonjë akt terrorist, mirëpo vazhdimisht sugjerohet rritja e masave e të kontrolleve në pikëkalimet kufitare, si dhe kontrolli i imamëve të dyshuar për lidhje me ISIS.

Për të gjitha veprimet dhe shtimin e masave të kontrollit dhe sigurisë, krerët e inteligjencës dhe institucioneve të sigurisë, ditët e fundit kanë pasur takime të përditshme me krerët më të lartë të shtetit.

Top Channel