Tregtari në burg merr tendera, PD: Beqaj po blen heshtjen e pronarit

17/11/2015 00:00

Deputetja demokrate, Albana Vokshi, vijon të denoncojë skandalet korruptive në Shëndetësi përmes deklaratave për shtyp nga selia e Partisë Demokratike, siç bëri edhe këtë të martë, kur radha u erdhi pronarë të arrestuar kompanish për skandalin e faturave fiktive, të cilët fitojnë ende tendera me firmën e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

“Kompani nën hetim, me pronarë të arrestuar për skandalin e faturave fiktive, fitojnë edhe sot tendera me firmën e Ilir Beqajt. Marrin miliona lekë, nga paratë që duhej të shkonin për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë, që duhet të shkonin për të sëmurët kronikë, pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, gratë e fëmijët”, ka thënë Vokshi, duke shtuar se zmadhimi i dosjes së vjedhjeve dhe abuzimeve po bëhet sipas skemës që ka ngritur Edi Rama me ministrin e Shëndetësisë.

Në vijim ka treguar 3 tenderat më të fundit të siguruar nga buletini i djeshëm i APP-së, ku shihet sipas deputetes demokrate dhënia nga Beqaj e tyre drejt “Omegafarmës”, pronari i së cilës është nën arrest dhe hetohet për korrupsion e abuzim.

“Tenderat janë ato në Spitalin e Vlorës, Gjirokastrës dhe Durrësit, në vlerën totale prej 310 milionë lekësh. Këto tendera i shtohen atyre, që ‘Omegafarma’ mori para disa ditësh. Në buletinin e APP të datës 2 nëntor 2015 del se ministri, jo vetëm që i dha disa tendera Omegës, por nxitoi të lidhte edhe kontratën, duke i çuar mesazhin pronarit se ai do ta mbronte deri në fund, në këmbim të heshtjes së tij”, deklaroi Vokshi.

Albana Vokshi ka dashur të rikujtojë për shqiptarët se, “Omegafarma” është akuzuar dhe është nën hetim për abuzim masiv me faturat fiktive. Prokuroria ka vlerësuar, që dëmi i shkaktuar nga kjo kompani, vetëm për një ilaç si Ketosterili, shkon mbi 2,2 mln euro.

“Ndaj Beqaj po vazhdon t’i japë tendera ‘Omegafarmës’, pasi kërkon të blejë me paratë e qytetarëve shqiptarë heshtjen e pronarit në burg. Nëse Nadiri flet, s’ka magjistar ta shpëtojë Beqjan nga burgu”, akuzoi Vokshi.

Në fund, në emër të PD-së, deputetja tha se i bëhet thirrje Prokurorisë të thellojë hetimet për këtë megaskandal, pasi pazari në kurriz të shëndetit të qytetarëve është krim mbi krimet, që duhet ndëshkur me forcën e ligjit. Kjo vjedhje është lehtësisht e verifikueshme – sipas saj, – sepse Fondi ka informacionin që dërgojnë çdo muaj depot importuese dhe mjafton ta krahasosh atë me konsumin mujor, del diferenca dhe merren masat e menjëhershme për stopuar vjedhjen.

Top Channel