Drejtësia, Manjani: S’ka më llafe, është koha e punës

17/11/2015 00:00

Në daljen e parë nga Kryeministria pas marrjes së detyrës si ministër i Drejtësisë, Ylli Manjani u zotua në përmbushjen e rekomandimeve të raportit të progresit të Komisionit Europian, të cilat tha ai e vendosin qeverinë shqiptare përpara sfidave të mëdha.

“Plotësimi i të gjitha rekomandimeve të këtij raporti, do të bëjë të mundur për shtetin shqiptar, për shqiptarët në tërësi që të marrim ftesën për të çelur bisedimet për anëtarësim në pranverë. Është një agjendë konkrete, nuk ka nevojë për llafe, s’ka më deklarata boshe sepse është koha e punës. Jemi të interesuar të gjithë së bashku për një reformë në drejtësi, të thellë, të qëndrueshme dhe që t’u sigurojë një shërbim cilësor ligjor të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Manjani.

Ndërkohë Presidenti i Republikës, Nishani ka marrë garancinë e Gianni Buquichio se Komisioni i Venecias ka qenë dhe mbetet në dispozicion të autoriteteve shqiptare për t’i ndihmuar në procesin e hartimit të reformës në drejtësi.

Top Channel