Madrid, masa të rrepta sigurie në prag të “El Clasico”-s

17/11/2015 00:00

Sulmet terroriste të ndodhura në Paris kanë bërë, që qeveritë e të gjitha shteteve europiane të forcojnë masat e sigurisë në prag të ngjarjeve më të rëndësishme sportive.

Një gjë e tillë po ndodh edhe në Madrid, ku këtë fundjavë do të luhet në “Santiago Bernabeu”, “El Clasico” mes Realit dhe Barcelonës. E deleguara e qeverisë spanjolle, Concepcion Dancausa e ka konfirmuar këtë, në një intervistë të dhënë për të përditshmen “AS”.

“Do të kontrollojmë gjithçka, deri edhe te paninet – tha Dancausa në intervistën e saj. – Është rasti të bëjmë atë që kemi kryer gjithnjë, por me një kujdes më të madh. Tifozët, që do të hyjnë e do të dalin nga stadiumi, do të kontrollohen me imtësi”.

Mendohet se, pikërisht për këtë arsye, në “El Clasico” do të angazhohen për ruajtjen e rendit dhe sigurisë mbi 1000 agjentë policie, por Dancausa kërkon edhe bashkëpunimin e vetë tifozëve.

“Të premten në ‘Stade de France’, publiku u largua me qetësi dhe duke kënduar himnin kombëtar, – shtoi Dancausa. – Ky është një shembull, që shpresojmë të ndiqet edhe nga publiku në ‘Bernabeu’”.

Top Channel