Furtunë në dogana, Rama shkarkon drejtuesit me rezultate të dobëta

17/11/2015 14:55

Pas ecurisë së dobët në mbledhjen e të ardhurave, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj doganave duke paralajmëruar furtunë në këtë institucion.

Në një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, kryeministri i ka kërkuar drejtoreshës së përgjithshme të shkarkojë kryetarët e rretheve me performancën më të dobët, por edhe krerët e departamenteve në drejtorinë e përgjithshme.

Burime konfidenciale i thanë Top Channel se, gjatë një fjalimi të shkurtër kreu i qeverisë është shprehur i pakënaqur nga realizimi i të ardhurave për 10-mujorin dhe ka vënë në dukje ecurinë e dobët në mbledhjen e të ardhurave nga ky institucion jo vetëm krahasuar me planin, por edhe me administratën tatimore.

Zoti Rama ka shprehur mbështetjen e plotë për drejtoreshën e përgjitshme Fagu, por në të njëtën kohë ka bërë përgjegjës për ecurinë e dobët drejtuesit e tjërë më të lartë të këtij institucioni, ndaj të cilëve ka kërkuar masa urgjente.

Në 9 muajt e parë të vitit, doganat kishin një mosrealizim prej 3.6 miliardë lekësh ndaj planit të rishikuar të buxhetit. Shifrat kanë qenë zhgënjyese edhe për tetorin, ku nga 15.3 miliardë lekë të planifikuara doganat kanë realizuar rreth 13 miliardë.

Edhe pse një pjesë e arsyeve kanë qenë të lidhura me faktorë të jashtëm si rënia e çmimit të naftës, apo ulja e të ardhurave nga renta, Rama ka deklaruar se përgjegjësi kanë edhe drejtuesit e doganave. Ndaj për këtë ka kërkuar shkarkime masive.

Burimet i thanë Top Channel se gjatë këtyre ditëve pritet të ketë dorëheqje, të atyre drejtuesve që kanë performancën më të dobët dhe ndërkohë pas përfundimit të largimeve vullnetare do të nisin dhe shkarkimet.

Disa nga drejtuesit që pritet të largohen të parët janë ata në doganën e Fierit, asaj të Vlorës por edhe Sarandës, të cilat kanë patur rezultatet më të dobëta gjatë këtij viti.

Por veç kryetarëve të rretheve, shkarkime do të ketë edhe në radhët e drejtuesve të departamenteve në drejtorinë e përgjithshme, lista me emrat ë të cilëve pritet të bëhet e ditur gjatë ditëve në vijim.

Top Channel