Mbreti Abdullah i Jordanisë viziton Kosovën: Jemi përballë luftës së tretë botërore

17/11/2015 00:00

“Jemi përballë luftës së tretë botërore kundër njerëzimit”. Mesazhin e dha në Prishtinë gjatë vizitës zyrtare mbreti i Jordanisë. Ai u prit nga Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Isa Mustafa, me të cilët diskutoi përveç të tjerash zhvillimet e fundit në Francë pas sulmeve terroriste.

“Kosova paraqet vlerat më të mira të tolerancës dhe bashkëjetesës. Këto janë vlerat që duhet t’i promovojmë, kur kemi parasysh barbarizmin e kryer në Paris javën që shkoi, kjo tregon se terroristet mund të godasin kudo dhe në çdo kohë. Siç i thashë zonjës Presidente, ne po ballafaqohemi me luftën e tretë botërore kundër njerëzimit, dhe kjo është ajo çfarë na bashkon të gjithëve.  Kështu që ne duhet të reagojmë shpejt që t’i përgjigjemi këtyre kërcënimeve, pa marrë parasysh nëse janë në këtë rajon, Afrikë në Azi apo në Europë”, u shpreh Abdullah II Ibn Al Hussein, mbreti i Jordanisë.

Edhe Presidentja Jahjaga, duke komentuar mbi këto zhvillime, theksoi se Kosova nuk do të jetë strehimore e as vend tranzit i këtyre grupeve. “Mposhtja e ISIS-it kërkon vëmendjen e të gjithëve”, tha Presidentja e Kosovës.

“Si Presidente e Kosovës jam e prekur nga sulmet terroriste brutale në Paris, dhe nga humbja e jetës së shumë njerëzve të pafajshëm. ky nuk ishte një sulm ndaj Parisit, ky ishte një sulm kundër të gjitha vendeve që e duan lirinë, në gjithë botën. Mposhtja e këtyre grupeve terroriste, është një sfidë që nuk mund ta përballojë një komb i vetëm. Është e domosdoshme, që t’i dedikojmë vëmendjen dhe gjithë burimet  e nevojshme për ta mposhtur përgjithmonë. Kosova do të vazhdojë ta tregojë angazhimin e saj për këtë. Ne nuk do të bëhemi një vend i sigurt ose tranzit për këto elemente, dhe do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tonë, dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë për ta adresuar këtë çështje”, tha Jahjaga.

Rreth 60 shtete të botës janë bashkuar në koalicion për të luftuar kundër të ashtuquajturit shtet islamik. Mes tyre është edhe Jordania si një ndër shtetet e përfshira në sulmet ajrore. Jordania është një ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa për autoritetet kosovare mbetet një ndër shtetet aleate me rëndësi të veçantë.

Vizita e mbretit të Jordanisë ktheu paqen në sheshin Ibrahim Rugova, ku ai u prit me ceremoni shtetërore vetëm pak minuta pas shpërndarjes së protestuesve të opozitës.

Top Channel