NBA, të tjera suksese nga Chicago dhe San Antonio

17/11/2015 00:00

Chicago Bulls fiton sërish në kampionatin e NBA. Skuadra nga Illinois mundi në fushën e saj Indianën, me rezultatin 96-95 në çastet e fundit, e tashmë është në vendin e dytë në Konferencën e Lindjes me 7 fitore dhe 3 humbje.

Bulls, gjatë kësaj sfide humbi shërbimin e Derrick Rose për ndrydhje të kaviljes, por në fund arriti të arkivojë këtë ndeshje në favor të saj. Indiana arriti të rivalizojë me Chicagon deri në çastet e fundit të takimit, kur Paul George, që shënoi 26 pikë, u bllokua nga Butler në tentativën e fundit për të shënuar dhe për të fituar takimin.

Fitore regjistroi edhe San Antonio Spurs, që në “AT and T Center” mposhti Portlandin 93-80, duke regjistruar suksesin e pestë radhazi, që e ngjit atë në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit me 8 fitore dhe vetëm 2 humbje.

Leonar me 19 pikë dhe i përjetshmi Ginobili me 17, ishin ata që e vunë ndeshjen në drejtimin e dëshiruar nga skuadra teksane e Greg Popoviç, duke bërë në të njëjtën kohë të padobishme statistikat e Lillard, që e mbylli takimin me 27 pikë personale të shënuara.

Los Angeles Lakers e ka të vështirë të shënojë 2 fitore radhazi në NBA. Skuadra kaliforniane u mund nga Phoenix 101-120, ku ai që spikati për Suns ishte Brandon Knight me 30 pikë, 10 topa në tabelë e 15 asiste. Në ndeshjet e tjera të NBA, Dallas mundi Filadelfian 92-86, Boston fitoi me Houston 111-95, ndërsa Memphis iu imponua Oklahomes duke e mposhtur 122-114.

Top Channel